Enti Shtetëror i Auditimit ka zbuluar disa dobësi të rëndësishme në zbatimin e masave të sigurisë dhe kontrolleve në sistemin IT të Agjencisë së Punësimit, që kërcënojnë mbrojtjen e informacionit dhe burimeve të IT-së.
Auditimi i performancës, i cili mbuloi periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024, arriti në përfundimin se Agjencia ka kapacitete të pamjaftueshme njerëzore dhe teknike, si dhe dobësi në menaxhimin e sigurisë së informacionit dhe mekanizma të pazhvilluar mjaftueshëm për mbrojtjen dhe vazhdimësinë e operacioneve.
Një nga problemet më serioze është personeli i pamjaftueshëm i Sektorit Qendror të Informatikës.
Nga shtatë pozitat e planifikuara, vetëm dy, ose 28.57 përqind, janë plotësuar.
Po ashtu, në tre vitet e fundit, nuk është kryer asnjë trajnim për stafin e IT-së, as nuk ka një program të dokumentuar për përmirësimin e vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të punonjësve.
Auditorët theksojnë gjithashtu investimet e pamjaftueshme në mirëmbajtjen e sistemeve IT, edhe pse nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë zbatuar kontrata prokurimi për infrastrukturën e IT-së, sistemet e sigurisë dhe shërbimet e komunikimit, me një vlerë totale prej 171.2 milionë denarë, ose rreth 2.78 milionë euro.
Sipas auditimit, është veçanërisht shqetësuese që sistemi nuk kishte një kontratë mirëmbajtjeje parandaluese dhe adaptuese për 293 ditë, ose 15.7 përqind të periudhës së analizuar.
U identifikuan dobësi në menaxhimin e të dhënave personale, aksesin e përdoruesve dhe sigurinë e rrjetit, si dhe nevojën për përmirësuar procedurat dhe kontrollet për menaxhimin e aksesit në burimet e informacionit.
Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, u identifikua nevoja për të përmirësuar mekanizmat për monitorimin dhe kontrollin e aksesit, si dhe procedurat për ruajtjen, arkivimin dhe fshirjen e të dhënave në përputhje me afatet ligjore.
Auditorët gjithashtu theksuan nevojën për të forcuar mekanizmat e kopjimit të të dhënave dhe rikuperimit, si dhe për të krijuar dhe testuar rregullisht plane për vazhdimësinë e biznesit.
Testimi i rregullt i aftësive të rikuperimit të të dhënave dhe vendosja e procedurave të përshtatshme janë të domosdoshme për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve të IT-së dhe për të zvogëluar rreziqet në rast të një ndërprerjeje ose ngjarjeje të paparashikuar.