Një rast me malarie është konfirmuar në Shqipëri.
Bëhet fjalë për një shtetas të huaj, i cili është diagnostikuar me këtë sëmundje dhe aktualisht ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel Alma Demiraj, pacienti është nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Ndërkohë, dyshohet edhe për një rast tjetër, por ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për të.
Rasti i konfirmuar ka rikthyer vëmendjen te malaria, një sëmundje infektive që nuk ka qenë endemike në Shqipëri për dekada.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, rastet e regjistruara deri më tani kanë qenë kryesisht të importuara nga individë që kanë udhëtuar në zona ku malaria është e përhapur.
Malaria përhapet përmes pickimeve të mushkonjave të infektuara dhe mund të shkaktojë temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje koke dhe komplikacione të rënda nëse nuk trajtohet në kohë.