Një burrë 47-vjeçar nga Kosova është dënuar me burgim të përjetshëm në Austri, pasi u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, e cila ishte 38 vjeçe.
Gjykata Rajonale e Wiener Neustadt vendosi gjithashtu që ai të dërgohet në një institucion të sigurt psikiatrik-mjekësor.
Katër fëmijët e çiftit do të marrin nga 75 mijë euro kompensim secili.
Vendimi u shpall të martën, pas një procesi gjyqësor që lidhej me vrasjen e ndodhur më 5 prill të këtij viti, në ditën e Pashkëve, në Sooß të distriktit të Badenit.
Një tjetër i akuzuar, një 45-vjeçar, është liruar nga akuzat për bashkëpunim në këtë vepër.
Megjithatë, dënimi ndaj 47-vjeçarit nuk është ende i formës së prerë, pasi ai ka paraqitur një kërkesë për pavlefshmëri dhe apel, sipas raportimeve nga Der Standard.
Sipas prokurorisë, gruaja ishte ndarë nga bashkëshorti në vitin 2019, pas disa rasteve të dhunës.
Pas ndarjes, ajo kishte marrë masa për të mbrojtur veten dhe katër fëmijët e tyre, përmes urdhrave mbrojtës dhe ndalimeve të kontaktit.
Më 5 prill, 47-vjeçari kishte shkuar në shtëpinë në Sooß, ku 38-vjeçarja jetonte me katër fëmijët e saj, të moshës nga nëntë deri në 18 vjeç.
Sipas aktakuzës, pasi kishte lënë dhuratat e Pashkëve që kishte marrë me vete, ai kishte qëlluar tri herë drejt bashkëshortes dhe më pas e kishte goditur rreth 40 herë me një kaçavidë.
Eksperti tha se “kotësia e lënduar” luajti një rol të rëndësishëm në këtë krim.