Mbajtja e vazhdimit të seancës plenare është shtyrë deri në një vendim tjetër, ku në rend dite ishte edhe Ligji për Specialen.
Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, njoftoi se pas konsultimeve intensive me shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që vazhdimi i seancës me tri pikat në rend dite të shtyhet për një datë të re. “Nga konsultimet e ngjeshura me shefat e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit politikë të grupeve parlamentare, konsideruam që seanca që është thirrur për vazhdim me tri pikat të shtyhet deri në një vendim tjetër”, tha ai.
Në rend dite të vazhdimit të seancës ishte votimi i Propozim Rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer të gjirit që kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, në rend dite ishte votimi i Propozim Rezolutës mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Pikë e tretë ishte rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të rikthyer nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, para fillimit të seancës së re plenare, ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, njoftoi se ka marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për Ligjin për Specialen. “Ka marrëveshje”, tha shkurt Çitaku para se të hynte në sallën e Kuvendit të Kosovës.