Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që pika në rendin e ditës së Kuvendit për shqyrtimin e rekomandimit për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të hiqet.
Tahiri ka theksuar se kjo çështje nuk është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe rekomandimi nuk ka ardhur me një raport vlerësues ose analizë.
Për këtë arsye, ai ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet dhe të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë që do të mbahet të hënën.
Ai ka paralajmëruar se në rast se procedohet pa respektimin e procedurave parlamentare, Aleanca do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. “Para se të vendoset në seancë pika 10-të, kërkojmë largimin e kësaj pike, e diskutojmë në Kryesi të hënën”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, e cila është nënkryetare e parë e Komisionit për Administratë Publike, i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit me kërkesën që rekomandimi për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të kthehet mbrapsht.
Bytyqi ka kritikuar shumicën parlamentare, duke pretenduar se rekomandimi për shkarkimin e këtyre anëtarëve është bërë pa arsyetim dhe pa respektim të procedurave parlamentare.
Ajo e ka cilësuar këtë veprim si një tentativë për kapje politike të institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore. “Institucionet e shtetit nuk janë pronë e Vetëvendosjes.
Kapja e shtetit duhet të ndalet”, ka shkruar Bytyqi.