Instituti Hidrometeorologjik njofton se në ditët e ardhshme në territorin e Kosovës pritet mot kryesisht i vranët, me intervale të herëpashershme me diell.
Në disa vende, parashikohen reshje të dobëta shiu, në formë rigash, të cilat do të jenë të shpërndara në zona të ndryshme.
Për të shtunën, moti do të jetë i vranët me intervale me diell, ndërsa vranësirat në disa vende mund të sjellin riga shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 deri 6 gradë Celsius, kurse ato maksimale do të arrijnë nga 13 deri 16 gradë.
Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi prej 1-5 m/s.
Ndërkohë, për të dielën, parashikohet mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu.
Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 1 deri 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të variojnë nga 10 deri 14 gradë.
Era do të vazhdojë të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi prej 1-6 m/s.
Kushtet biometeorologjike gjatë këtyre ditëve pritet të jenë kryesisht të favorshme deri mesatarisht të favorshme për shumicën e popullatës.
Temperatura relativisht e butë gjatë ditës dhe era e dobët jugperëndimore nuk pritet të shkaktojnë shqetësime të theksuara biometeorologjike.
Megjithatë, ndryshimet e temperaturave ndërmjet mëngjesit dhe mesditës, si dhe moti me vranësira e reshje të dobëta lokale, mund të ndikojnë te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike, sidomos te të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
Rekomandohet veshja adekuate, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes, si dhe shfrytëzimi i intervaleve me diell për aktivitete në ambient të hapur.
Kushtet agrometeorologjike gjatë kësaj periudhe pritet të jenë kryesisht të favorshme për aktivitetet bujqësore.
Reshjet e dobëta lokale do të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës.
Temperaturat gjatë ditës do të jenë relativisht të përshtatshme për kulturat bujqësore, ndërsa ato të mëngjesit do të jenë më të ulëta.
Vranësirat dhe intervalet me diell do të krijojnë kushte të ndryshueshme për zhvillimin e bimëve.
Era e dobët jugperëndimore nuk pritet të ketë ndikim të theksuar në kulturat bujqësore.
Rekomandohet që punët në ara dhe pemishte të planifikohen në përputhje me kushtet atmosferike.
Lagështia e tokës duhet të monitorohet vazhdimisht.
Në zonat më të larta, temperaturat do të jenë më të ulëta.