Gjykata Themelore në Gjakovë ka vendosur të caktojë një muaj paraburgim për burrin F.K., i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe ka sulmuar me thikë axhën e saj në fshatin Lipovec të Gjakovës.
Rasti ishte raportuar më herët, ku ishte bërë e ditur se gruaja kishte lënë bashkëshortin për shkak të dhunës, ndërsa ai dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e familjarëve të saj dhe kishte sulmuar axhën e saj me thikë.
Ngjarja ka ndodhur më 21 nëntor 2026, rreth orës 02:00.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional.
Madje, më 18 nëntor, pasi gruaja ishte larguar te familja e saj për shkak të mosmarrëveshjeve, ajo kishte pranuar një mesazh zanor kërcënues nga bashkëshorti. “O ku je, o kom me të myt, po ku je”, thuhet se e kishte kërcënuar ai përmes mesazhit.
Në orët e para të 21 nëntorit, ai kishte shkuar në shtëpinë ku ndodhej bashkëshortja dhe i kishte kërkuar të dilte jashtë për të biseduar.
Sipas Prokurorisë, kur axha i bashkëshortes, F.Gj., kishte dalë për të biseduar me të, i dyshuari e kishte sulmuar me thikë në fytyrë.
Viktima kishte ngritur dorën për t’u mbrojtur, por kishte marrë lëndime edhe në dorën e majtë, duke pësuar prerje në gishtin e katërt.
Lëndimet e tij janë dokumentuar në raportin mjekësor të Shërbimit Urgjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Pas seancës dëgjimore, gjykatësja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.