Nisma Kombëtare ‘Një Muaj Pa Duhan’: Më Shumë se 12,000 Pjesëmarrës në Zvicër

Më shumë se 12 mijë persona në Zvicër janë bashkuar nismës kombëtare ‘Një muaj pa duhan’, e cila ka për qëllim t’i ndihmojë duhanpirësit dhe konsumuesit e produkteve të nikotinës që të heqin dorë nga kjo varësi.

Fushata, që organizohet edhe këtë vit gjatë muajit nëntor, i bën thirrje pjesëmarrësve që për 30 ditë të mos konsumojnë cigare, cigare elektronike, snus apo produkte të tjera me nikotinë.

Kjo nismë është një sfidë edhe për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, ku një pjesë e komunitetit vazhdon të jetë konsumatore e duhanit.

Organizatorët e kësaj fushate synojnë të tregojnë se ndërprerja e duhanit është më e lehtë kur bëhet në grup dhe me mbështetje profesionale.

Pjesëmarrësit përfitojnë këshilla falas nga ekspertët e shëndetësisë, mesazhe të përditshme motivuese, informacione praktike dhe mundësi për të shkëmbyer përvoja me persona të tjerë që po përpiqen ta lënë duhanin.

Mbështetja ofrohet edhe përmes komunitetit online dhe grupeve të komunikimit, ndërsa programi është i disponueshëm në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht.

Sipas organizatorëve, muaji i parë është një nga periudhat më të vështira për ata që vendosin ta ndërpresin duhanin, prandaj sfida është ndërtuar për t’i shoqëruar ata hap pas hapi.

Fushata përfshin edhe përdoruesit e cigareve elektronike dhe snusit, duke synuar ndërprerjen e konsumit të nikotinës në tërësi.

Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët, pjesëmarrja në edicionin e vitit 2026 ka shënuar rekord, me mbi 12 mijë persona të regjistruar, prej të cilëve 6.150 nga pjesa frankofone e Zvicrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *