Shërbimi Korrektues i Kosovës Feston 27 Vjetorin e Themelimit

Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka festuar sot 27-vjetorin e themelimit.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë përfaqësues të lartë shtetëror, institucioneve korrektuese dhe zyrtarë policorë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, theksoi se Shërbimi Korrektues i Kosovës funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë këtij institucioni.

Ajo u shpreh se një përgjegjësi e re është kontributi në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria. “Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është vetëm një institucion që administron vuajtjen e dënimit.

Ai është një institucion që garanton sigurinë, mbron rendin, zbaton ligjin dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Por mbi të gjitha, ky institucion qëndron dhe funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë atij me përgjegjësi, me profesionalizëm dhe me përkushtim…

Një përgjegjësi po ashtu e rëndësishme është kontributi në rehabilitim dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria.

Sepse sot, një sistem korrektues i suksesshëm nuk matet vetëm me kapacitetin për të administruar dënime, por edhe me mundësinë që u jep njerëzve të ndryshojnë, të përgatiten për një jetë të re”, tha ajo.

Kryeministri, Albin Kurti, theksoi se gjatë këtyre viteve, shërbimet korrektuese të Kosovës kanë shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit.

Ai tha se mbrojtja e të drejtave të të burgosurve apo të paraburgosurve nga SHKK është dëshmuar përmes vlerësimeve të ndryshme. “Natyrisht që burgu nuk është i mirë, por është i domosdoshëm për ta mbrojtur shoqërinë.

I burgosuri apo i paraburgosuri e humbet lirinë por asnjëherë të drejtën.

Të cilët mbrohen e respektohen nga të gjithë ne bashkë dhe nga secili prej jush, pavarësisht nga funksioni që përfaqëson.

Ky progresi i madh i shërbimit të Kosovës dhe Kosovës është dëshmuar edhe përmes vlerësimeve të çmuara”, tha Kurti.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se SHKK ka dëshmuar profesionalizëm e integritet. “Shërbimi Korrektues vërtet ka dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe integritet, transformim të vazhdueshëm të infrastrukturës, rritje të numrit dhe cilësisë së zyrtarëve korrektues, si dhe përafrim me standarde bashkëkohore korrektuese.

Në raportin e sivjetshëm të progresit të Komisionit Evropian, theksohet se Kosova ofron garanci të duhura ligjore për parandalimin e torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit.

Sistemi i burgjeve në përgjithësi është në përputhje me rregullat standarde minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve”, tha Gërvalla.

Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, shprehu mirënjohjen ndaj zyrtarëve korrektues dhe stafit civil, duke treguar investimet e bëra në këtë institucion gjatë viteve të fundit, si dhe modernizimin e infrastrukturës dhe avancimin e sistemit të sigurisë. “Kemi investuar në ngritjen profesionale të stafit, me qindra zyrtarë të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe kemi fuqizuar institucionin me mbi 400 zyrtarë të rinj.

Kemi themeluar institucionin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, kemi modernizuar infrastrukturën, kemi investuar në teknologji dhe kemi avancuar sistemin e sigurisë.

Mbi 5,000 persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe edukative profesionale dhe rehabilituese.

Kemi nënshkruar me dhjetëra marrëveshje të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, duke krijuar mundësi të reja për arsim dhe përgatitje për rikthim në shoqëri”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *