Kryetarja Lushaku-Sadriu Kërkon Sqarime për Incidentin në Forumin e Zgjerimit në Bruksel

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar sqarime nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, për incidentin e ndodhur në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, ku u interpretua një këngë nacionaliste serbe.

Në një deklarim për këtë çështje, Lushaku-Sadriu e ka cilësuar ngjarjen si zhgënjyese, duke e theksuar se Kosova tash e një javë është në pritje të një kërkimfaljeje zyrtare nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Ajo ka rikujtuar se Kosova është ndër shoqëritë më proevropiane në rajon dhe se Bashkimi Evropian shihet si perspektiva kryesore e vendit. “Dua që në fillim të shpreh habinë dhe zhgënjimin për një incident që ka ndodhur në Bruksel javën e kaluar.

Ishte një ngjarje zhgënjyese për ne dhe për shoqërinë tonë në përgjithësi, pasi Kosova është shoqëria më proevropiane në rajon dhe Bashkimin Evropian e shohim si perspektivën tonë shtetërore,” ka deklaruar Lushaku-Sadriu gjatë mbledhjes së Komisionit për Integrimeve Evropiane.

Ajo ka kritikuar gjithashtu mungesën e përfaqësimit institucional të Kosovës në këtë forum, duke theksuar se një ngjarje e tillë duhet të shërbejë për përcjelljen e mesazheve të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit. “Për më tepër, Forumi i Zgjerimit është një platformë që ka për qëllim të përcjellë mesazhe pajtimi ndërmjet shteteve që kanë qenë në konflikt me njëra-tjetrën.

Misioni i Bashkimit Evropian është që t’i ndihmojë vendet t’i tejkalojnë këto ndasi dhe të bëjnë hapa përpara drejt integrimit evropian,” është shprehur ajo.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se Kosova është duke pritur një reagim zyrtar lidhur me atë që ndodhi në Bruksel, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të marrë përgjegjësi institucionale për incidentin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *