Një shtetas shqiptar është arrestuar në Bolzano të Italisë pasi policia ka gjetur afro dy kilogramë lëndë narkotike dhe rreth 13 mijë euro para të gatshme.
Sipas Agenzia giornalistica opinione, gjithçka filloi të enjten pasdite, më 19 nëntor, kur efektivët e antidrogës vunë re sjellje të dyshimta nga shqiptari në rrugën Verona dhe vendosën ta mbikëqyrnin para se ta ndalonin automjetin për kontroll.
Gjatë verifikimit, shqiptari shfaqi nervozizëm dhe dha përgjigje kontradiktore për arsyen e qëndrimit të tij në qytet.
Fillimisht, ai deklaroi se kishte ardhur si turist së bashku me bashkëshorten dhe vajzën, ndonëse në automjet ndodhej edhe një karrocë fëmijësh.
Megjithatë, policia konstatoi se dy gratë kishin larguar tashmë territorin italian.
Më pas, ai ndryshoi versionin, duke pretenduar se ndodhej në rajonin e Tirolit të Jugut për arsye pune, por nuk arriti të paraqiste prova që mbështesnin deklaratën e tij.