Kuvendi i Kosovës pritet të ndërmarrë hapa të rinj në lidhje me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas përfundimit të afatit katër javor për procedimin e raportit nga komisioni përkatës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë, njoftoi se është kërkuar opinioni nga Drejtoria Ligjore për veprimet e mëtejshme, duke theksuar se Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh pasoja të qarta në rast të mosrespektimit të këtij afati.
Haxhiu shpjegoi se pas kthimit të një ligji, komisioni përkatës ka katër javë për të proceduar raportin, por në këtë rast, afati ka skaduar pa veprime të nevojshme. “Sa i përket ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion për veprimin e radhës.
Sipas Rregullores së Kuvendit, pas kthimit të një ligji, komisioni përkatës ka katër javë për të proceduar raportin.
Afati ka përfunduar dhe nga Drejtoria Ligjore është kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse ky afat tejkalohet, pasi nuk parashihet ndonjë pasojë në rast se nuk kemi një vendim brenda afateve,” deklaroi Haxhiu.
Ajo gjithashtu foli për mundësinë e procedimit të një drafti të ri gjatë kësaj jave, duke njoftuar se nisma e re pritet të dorëzohet brenda këtij afati.
Sipas Haxhiut, pengesat që kanë ndikuar në proces deri tani kanë qenë të natyrës procedurale dhe jo përmbajtësore. “Sipas informacioneve që kam, një nismë e re do të procedohet brenda kësaj jave.
Se çfarë përmban ajo, do të diskutojmë pasi të procedohet.
Duhet të theksoj se në raport me këtë çështje nuk kemi pasur ndonjë problem përmbajtësor, çështjet kanë qenë plotësisht të natyrës procedurale.
Do të ketë një draft të ri në raport me çështjen e vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale,” u shpreh ajo.
Haxhiu gjithashtu përmendi hartimin e strategjisë për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
Ajo njoftoi se grupi punues është duke vazhduar punën dhe Kuvendi është i përfaqësuar në këtë proces përmes grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit të deleguar nga ajo.
Haxhiu paralajmëroi se Kuvendi së shpejti do të angazhojë një mekanizëm institucional për të adresuar këtë përgjegjësi.
Ajo kritikoi punën e Avokatit të Popullit pranë Dhomave të Specializuara, duke theksuar se nuk ka përmbushur detyrat e tij në trajtimin e pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut. “Sa i përket draftit të strategjisë, grupi punues është duke punuar dhe Kuvendi është i përfaqësuar aty.
Përveç grupeve parlamentare, edhe unë kam deleguar përfaqësuesin tim në këtë grup.
Puna po vazhdon dhe shumë shpejt do ta kemi strategjinë.
Roli i Kuvendit është shumë i rëndësishëm për shkak të mekanizmit mbikëqyrës,” tha Haxhiu.
Ajo përmendi se çështjen e funksionimit të Avokatit të Popullit pranë Gjykatës Speciale e kishte ngritur edhe kur ishte ministre e Drejtësisë, por sipas saj, nuk kishte pasur reflektim. “Gjithmonë kemi folur për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
Fatkeqësisht, Avokati i Popullit atje nuk e ka kryer punën e tij.
Këtë çështje e kam ngritur edhe kur kam qenë ministre e Drejtësisë, por nuk ka pasur asnjëherë reflektim.
Kuvendi shumë shpejt do të angazhojë një mekanizëm institucional që do të merret me këtë përgjegjësi,” përfundoi Haxhiu.