Interpelanca për Kryeministrin Kurti Shtyhet, Tahiri thekson rëndësinë e Dialogut me SHBA-në

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se interpelanca e kërkuar për kryeministrin Albin Kurti, lidhur me dështimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shtyrë për seancën e ardhshme të Kuvendit.

Tahiri tha se interpelanca nuk do të mbahet këtë të enjten, për shkak të mungesës së kryeministrit Kurti në Kosovë.

Ai theksoi se rikthimi i dialogut strategjik me SHBA-në është thelbësor për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Sipas tij, mungesa e këtij dialogu mund të ketë pasoja negative në procesin e integrimit në NATO, njohjet e reja dhe marrëdhëniet me administratën amerikane. “Ne si grup parlamentar kemi kërkuar një interpelancë për kryeministrin Kurti që lidhet me dështimin e dialogut strategjik me SHBA-të.

Këtë të enjten, kryeministri Kurti nuk ishte në Kosovë, prandaj është shtyrë për seancën e radhës.

Ne e shohim jetike forcimin e subjektivitetit të Kosovës, forcimin e institucioneve tona, sidomos në rrafshin e brendshëm, si dhe ndërtimin dhe rikthimin e tabelës së dialogut strategjik Kosovë-Amerikë.

Nëse nuk do të ndodhë ky proces integrues, veçanërisht ai në NATO, procesi i njohjeve të reja dhe angazhimi i administratës Trump do të jetë problematike”, tha Tahiri.

Ndërkohë, ai kundërshtoi procedurën për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil, duke e cilësuar qasjen ndaj kësaj çështjeje si të gabuar.

Tahiri theksoi se administrata shtetërore nuk i përket asnjë partie politike dhe se vendimmarrja për këtë institucion duhet të bazohet në procedura të rregullta, e jo në vlerësime personale.

Ai bëri të ditur se ka kërkuar që kjo çështje të largohet nga agjenda e vazhdimit të dy seancave të Kuvendit. “Një çështje tjetër ka të bëjë me kërkesën për shkarkim të Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil.

Procedura është gabim, qasja është e papranueshme.

Administrata e shtetit nuk është e një partie, nuk duhet të hyjë në funksion vlerësimi personal, por duhet të jetë një procedurë e rregullt.

Kërkova që kjo çështje të largohet nga agjenda e këtyre dy seancave”, tha Tahiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *