Dy persona, 39 dhe 18 vjeç, janë arrestuar nën dyshimin se kanë realizuar gjashtë vjedhje në dyqane, lokale dhe restorante në Elbasan dhe Tiranë.
Sipas Policisë, ata kanë marrë shuma parash dhe produkte të ndryshme.
Gjatë kontrollit, tek 18-vjeçari u gjet një sasi kanabisi, një pistoletë sportive dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për të hapur me forcë dyert e subjekteve.
Ky i fundit rezultonte gjithashtu i shpallur në kërkim për vjedhje të tjera.
Operacioni policor i koduar “Shëtitësit” ka zbardhur 3 vjedhje të ndodhura gjatë këtij muaji në Elbasan dhe 3 vjedhje në Tiranë, duke vënë në pranga dy autorët e dyshuar me precedentë kriminalë në fushën e vjedhjes.
Njëri prej tyre, i shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 Tiranë, si dhe nga Komisariati i Policisë Korçë për vjedhje, dyshohet si autor i një sërë vjedhjesh.
Gjatë hetimeve, janë sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, një pistoletë sportive dhe mjete që përdoren për thyerjen e dyerve.
Hetimet kanë treguar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash dhe produkte të ndryshme në 3 subjekte në Elbasan.
Po ashtu, shtetasi E.
Ll. dyshohet se është autor i dyshuar i 3 vjedhjeve të tjera në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik, iu gjetën dhe iu sekuestruan një sasi kanabisi, një pistoletë sportive, një kaçavidë dhe një levë, që dyshohet se i përdorte për hapjen me forcë të dyerve.
Të dy shtetasit kanë precedentë kriminalë dhe materiali procedurial iu referua Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhja”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.