Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit.
Në fjalën e saj, Shiroka Pula theksoi rëndësinë historike të kësaj date për shqiptarët, duke e cilësuar flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare si simbol të shtetit shqiptar dhe të gjithë kombit shqiptar, kudo që jeton.
Ajo rikujtoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, dhe vlerësoi kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.
Presidentja theksoi se flamuri kuq e zi u bë gjithashtu simbol i qëndresës dhe luftës çlirimtare të Kosovës.
Në këtë kontekst, ajo përmendi katër ngjarje me rëndësi të veçantë historike për shqiptarët: Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke folur për sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së, Shiroka Pula theksoi se ajo ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, presidentja tha se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ajo.
Ajo përgëzoi Shqipërinë për përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe shprehu shpresën që flamuri kuq e zi së shpejti të valëvitet edhe në Bruksel.
Shiroka Pula bëri thirrje që flamuri të nderohet përmes punës, dijes dhe përkushtimit, si dhe të ruhen gjuha, identiteti dhe kujtesa historike.
Sipas saj, flamuri që valëvitet sot përfaqëson amanetin e brezave që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë.
Në përfundim, presidentja theksoi nevojën për forcimin e marrëdhënieve dhe integrimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë: “Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”