Mbrojtja e lumit Vardar dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujërave duhet të jenë një prioritet i rëndësishëm shtetëror për një periudhë afatgjatë.
Kjo kërkon institucione të koordinuara, bashkëpunim ndërsektorial dhe financim të siguruar.
Këtë e theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, gjatë hapjes së aktivitetit “Ditët e Vardarit 2026”, i cili ishte dedikuar të ardhmes së menaxhimit të pellgut të lumit Vardar.
Hoxha theksoi se përgatitja e Planit për Menaxhimin e Pellgut të Lumit Vardar është një hap i rëndësishëm, por ai nënvizoi se vlera e një plani matet përmes zbatimit të tij dhe jo vetëm me miratimin.
Ai gjithashtu veçoi përparimin në monitorimin dhe klasifikimin e trupave ujorë, si dhe në identifikimin e presioneve mbi ujërat, një përparim i evidentuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026.
Megjithatë, ai theksoi se menaxhimi i ujërave nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një ministrie, pasi vendimet në bujqësi, energjetikë, industri dhe pushtetin lokal ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen e tyre. “Uji nuk njeh kufij ndërmjet sektorëve.
Prandaj, na nevojitet një qasje e mirëfilltë ndërsektoriale, në të cilën institucionet do të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe do të marrin përgjegjësi të përbashkët”, tha ministri Hoxha.
Duke iu referuar karakterit ndërkufitar të pellgut të Vardarit, Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Kosovën dhe Greqinë, si dhe të mbështetjes së Zvicrës në fushën e mjedisit jetësor.
Ai gjithashtu përshëndeti kontributin e komunitetit shkencor dhe të profesionistëve të rinj, duke nënvizuar se njohuritë, përvoja dhe inovacionet janë pjesë e rëndësishme e zgjidhjeve. “Qëllimi ynë nuk është thjesht të përgatisim edhe një dokument strategjik, por të ndërtojmë një sistem ku përgjegjësitë janë të qarta, institucionet kanë kapacitetet për të vepruar, mjetet financiare janë të siguruara, ndërsa rezultatet janë të matshme dhe të dukshme.
Ky është detyrimi ynë ndaj qytetarëve dhe brezave të ardhshëm”, porositi Hoxha.