Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka shprehur shqetësimin e tij pas incidentit fizik që ndodhi sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, ku u përfshinë staf i kryetarit të komunës, Faton Peci, dhe asamblistë të PDK-së.
Tahiri e ka akuzuar qeverisjen lokale për këtë ngjarje, duke e cilësuar atë si pasojë të arrogancës, papërgjegjësisë dhe menaxhimit të keq në qytet.
Në reagimin e tij, ai ka theksuar se pushteti lokal e ka kthyer Kuvendin Komunal në një vend provokimesh dhe përplasje fizike, ndërkohë që paralelisht po zhvillohen pazare me pronat publike. “Ky pushtet abuziv e ka shndërruar Kuvendin Komunal në arenë provokimesh e përplasjesh fizike, ndërkohë që në prapaskenë po bën pazare me pronat publike,” ka thënë Tahiri.
Ai ka paralajmëruar se PDK-ja nuk do të lejojë keqpërdorimin e pasurisë publike të Mitrovicës për interesa politike, personale apo klienteliste. “Nuk do ta lejojmë askënd t’i keqpërdorë pasuritë e Mitrovicës për interesa politike, personale apo klienteliste.
Kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të na ketë përballë!
Pronën publike dhe interesin e qytetarëve do t’i mbrojmë në çdo mënyrë dhe me çdo kusht!” ka deklaruar ai.
Konflikti fizik ndodhi sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, ku ishin të përfshirë pjesëtarë të stafit të kryetarit Faton Peci dhe asamblistë të PDK-së.