Liderët e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku u fokusuan në perspektivën evropiane të rajonit, reformat e nevojshme për anëtarësim dhe çështjet e hapura mes vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve evropiane që aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian të trajtohet si çështje urgjente.
Kosova është vendi i vetëm në procesin e zgjerimit të BE-së që ende nuk e ka marrë statusin e kandidatit.
Aplikimi i saj, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, nuk është shqyrtuar deri më tani për shkak të qëndrimit të pesë shteteve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Para takimit, Kurti theksoi se Kosova nuk po kërkon privilegje, por vlerësimin e përparimit të arritur në fusha të ndryshme. “Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor.
Po kërkojmë vetëm që të njihet përparimi i Kosovës në zhvillimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare”, deklaroi Kurti.
Ai gjithashtu bëri thirrje për arrestimin e Milan Radoiçiqit nga pushteti i ri në Serbi, i cili është përgjegjës për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kurti shprehu shpresën se situata do të ndryshojë dhe se duhet mbrojtur shoqëria nga kriminelët.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është mungesa e përfaqësuesit të Serbisë në këtë samit.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, konfirmoi se nuk do të marrë pjesë, duke e bërë këtë herën e dytë radhazi që Serbia nuk është e pranishme në samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Diplomatë evropianë vlerësojnë se për shkak të mungesës së përfaqësimit, Serbia me shumë gjasë nuk do të pajtohet me deklaratën përfundimtare të samitit.
Liderët e BE-së pritet të riafirmojnë përkushtimin ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në draft-deklaratën përfundimtare.
Zgjerimi cilësohet si mundësi reale për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës, por vendeve të rajonit u kërkohet të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë.
Në dokumentin e përgatitur theksohet se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në reformat e besueshme dhe meritave individuale.
Një pjesë e rëndësishme e draft-deklaratës është dedikuar dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mungesa e normalizimit po pengon të dyja vendet në rrugën drejt integrimit evropian.
BE-ja u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, me qëllim për të arritur përparim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023.
Samiti në Bruksel, që ndodhi rreth gjashtë muaj pas takimit të mëparshëm në Tivat të Malit të Zi, synon të riafirmojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur procesi i zgjerimit vazhdon të përballet me sfida politike dhe mosmarrëveshje rajonale.