Progresi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së: Mundësitë e Investimeve dhe Reformave

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, vlerësoi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ajo theksoi se rajoni po kalon në një fazë të re të zgjerimit.

Kos u fokusua veçanërisht te perspektiva e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke theksuar se viti 2027 mund të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, nëse vendi vazhdon me zbatimin e reformave. “Ky moment është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja.

Natyrisht që në të gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme, të cilat e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investuesit.

Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, në vitin 2013, BE-ja po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj, dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor.

Michel, keni të drejtë, ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030 dhe, edhe një herë tjetër, kishit të drejtë.

Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit që verën e ardhshme.

Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë.

Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vazhdon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit.

Po ashtu, Kos vuri në dukje se Maqedonia e Veriut ka përshpejtuar reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe ka përmirësuar nivelin e përgatitjes për anëtarësimin në BE.

Ndërsa në Serbi, lëvizja studentore ka fituar zgjedhjet me thirrjet e saj për transparencë, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.” Konferenca Ndërkombëtare e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor u mbajt nën kujdesin e Qeverisë Shqiptare dhe në bashkëpunim me Komisionin Evropian, me moton “Një kufi i ri investimesh – Ballkani Perëndimor”.

Në këtë konferencë morën pjesë mbi 600 investitorë, drejtues biznesesh, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe zyrtarë të lartë nga BE-ja dhe rajoni.

Fokusimi i diskutimeve ishte në energji, infrastrukturë, transport, ndërlidhje rajonale, infrastrukturë digjitale, teknologji, turizëm, kapital njerëzor, zinxhirë industrialë dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *