Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se “Dita e Forcës” është një ditë krenarie për shtetin, për ushtrinë dhe për çdo ushtar që shërben atdheut me nder, përkushtim dhe profesionalizëm.
Në një postim të bërë në Facebook, Maqedonci shprehu se sot jo vetëm që shënohet përvjetori i ushtrisë, por gjithashtu një kapitull të rëndësishëm të transformimit të saj. “Periudha 2021–2026 shënon vite të zhvillimit të hovshëm, investimeve historike, modernizimit dhe ngritjes së kapaciteteve të mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Përmes punës, sakrificës dhe përkushtimit tuaj, kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërtimit të një ushtrie moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me NATO-n,” shkroi Maqedonci.
Ai shtoi se, “Gjatë këtyre viteve, kemi trefishuar buxhetin e mbrojtjes, kemi investuar rreth 500 milionë euro në armatim, rekrutuar 3,220 ushtarakë të rinj dhe trajnuar mijëra ushtarakë në akademitë e vendeve aleate.
Sot, ushtria jonë disponon mbi 40 lloje sistemesh armatimi, përfshirë sistemet raketore kundërtanke Javelin dhe OMTAS, artilerinë HAËKEYE, dronët Bayraktar dhe PUMA, si dhe mijëra dronë Skydagger.
Kemi fuqizuar edhe kapacitetet logjistike me 35 kamionë ushtarakë Rheinmetall dhe UNIMOG – Mercedes-Benz, ndërsa dhjetëra të tjerë do t’i pranojmë gjatë vitit 2027.” Maqedonci gjithashtu ka vendosur themelet e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me fabrikën e parë të municioneve dhe zhvillimin e mjeteve ushtarake ajrore dhe tokësore pa pilot. “Kemi thelluar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të NATO-s, duke dëshmuar se Kosova është një partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta të sigurisë.
Sot, vendi ynë nuk është vetëm përfitues i sigurisë, por po përgatitet të jetë edhe kontribuues i paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, përmes angazhimit të ushtrisë sonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza,” tha ai.
Të gjitha këto arritje të periudhës 2021–2026, siç përmendi Maqedonci, janë dëshmi se kur kemi vizion, vendosmëri dhe përkushtim, mund të realizojmë objektiva që dikur dukeshin të paarritshme.