Në prag të festës së 28 Nëntorit, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është zbukuruar me flamuj kombëtarë shqiptarë, duke shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Kjo festë, e njohur si Festa e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ka një domethënie të veçantë edhe për Kosovën.
Më 28 Nëntor të vitit 1955, në Prekaz, lindi Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Me këtë rast, në ambientet e aeroportit janë vendosur flamujt kuqezi, në nderim të festës kombëtare dhe ditëlindjes së Adem Jasharit, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me historinë e qëndresës dhe luftës për lirinë e Kosovës, e që mban edhe emrin e tij – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. 28 Nëntori shënon gjithashtu ditën kur, në vitin 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e shpalli Adem Jasharin Komandant Legjendar.
Përmes këtij simboli kombëtar, Aeroporti i Prishtinës i bashkohet atmosferës festive të 28 Nëntorit, duke nderuar historinë dhe sakrificën për liri, si dhe duke pritur me flamuj kuqezi bashkatdhetarët që kthehen në Kosovë për festat e nëntorit.