Kryeministri Kurti Kërkon Statusin e Vendit Kandidat për Kosovën në Samitin e Tiranës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në samitin e zhvilluar në Tiranë, kërkoi nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, duke theksuar se vendi e ka merituar këtë hap.

Në këtë samit, ku morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komisionerja evropiane Marta Kos dhe përfaqësues të tjerë rajonalë, Kurti fol për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë ekonomike.

Duke u fokusuar në raportet me Shqipërinë, ai theksoi se tregu i energjisë elektrike i Kosovës tashmë është i integruar me atë shqiptar, dhe përmendi projektin e planifikuar të hekurudhës Prishtinë-Durrës si një prej projekteve kyçe për ndërlidhjen e dy vendeve dhe rajonit.

Kurti kërkoi që hekurudhat e planifikuara të integrohen në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit, duke vlerësuar se lidhshmëria në transport dhe energji është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë.

Ai gjithashtu përmendi pikën kufitare Vërmicë-Morinë, e cila është përfshirë në projektin e Korridoreve të Gjelbra të Planit të Rritjes të BE-së.

Sipas tij, masat e reja kufitare kanë ndikuar në shkurtimin e kohës mesatare të zhdoganimit për dy të tretat, duke e ulur atë nga rreth 11 orë në afërsisht tri orë e gjysmë.

Kryeministri gjithashtu foli për bashkëpunimin ekonomik rajonal, duke theksuar se integrimi ekonomik duhet të shërbejë si mekanizëm për forcimin e sigurisë, sidomos në një kohë kur kërcënimet hibride dhe presioni nga Rusia po shtohen në Evropë.

Kurti theksoi rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të infrastrukturës energjetike dhe transportuese, duke e cilësuar sigurinë energjetike si pjesë të sigurisë ekonomike dhe kombëtare.

Ai gjithashtu prezantoi disa të dhëna për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke thënë se rritja ekonomike ishte 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, dhe investimet private në vitin 2025 ishin 77 për qind më të larta se në vitin 2021, ndërsa papunësia kishte rënë nga 26 në 11 për qind.

Kurti përmendi investimet në energji të ripërtëritshme, zhvillimin e teknologjisë informative dhe ndërtimin e fabrikës së parë të municionit në Kosovë, duke e paraqitur vendin si një mundësi për investitorët evropianë.

Ai bëri të ditur se Kosova ka marrë 61.8 milionë euro si këst të parë të parafinancimit në kuadër të Agjendës së Reformave, ndërsa ka kërkuar edhe 153 milionë euro të tjera për 20 hapa reformues që, sipas tij, janë përmbushur.

Një pjesë të fjalimit, Kurti ia kushtoi lehtësimit të qarkullimit dhe tregtisë ndërmjet vendeve të rajonit.

Ai përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), lansimin e pagesave të menjëhershme dhe kuletën digjitale, si dhe negociatat me BE-në për heqjen e tarifave shtesë të roamingut.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal, kryeministri theksoi se Kosova ka ratifikuar pesë marrëveshjet e mobilitetit, duke kritikuar Serbinë për mosnjohjen e diplomave dhe pengesat që ende ekzistojnë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Ai gjithashtu akuzoi Serbinë për bllokimin e interkoneksionit elektrik Kosovë-Serbi, duke kërkuar nga Komisioni Evropian që të sigurojë zbatimin e detyrimeve të dakorduara.

Në përfundim të fjalimit, Kurti kërkoi që Bashkimi Evropian të avancojë procesin e integrimit të Kosovës, duke theksuar se vendi është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e kandidatit për anëtarësim.

Ai rikujtoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para gati katër vjetësh dhe kërkoi që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *