Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur kritika ndaj qasjes aktuale të pushtetit, duke theksuar se narracioni politik i ndërtuar gjatë viteve ka kontribuar në ndarjen e shoqërisë dhe ka vendosur grupe të ndryshme në opozitë me njëri-tjetrin.
Në një takim me qytetarët në Prizren, ai përmendi shprehjen “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, duke e modifikuar atë në “Nga shkon Lumezi, vjen Elezi, erdhi Bylmezi”.
Gjini theksoi se nuk është e mundur të ketë një qeverisje që dëshiron të përmirësojë gjendjen në vend duke u pozicionuar kundër bizneseve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mediave dhe opozitës. “Nuk mundet me pas pushtet i cili do me e ndreqë Kosovën, po kundër bizneseve.
Që do me e rregullu sundimin e ligjit, po kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Që do me i ndreqë marrëdhëniet ndërkombëtare, po kundër Amerikës.
Që do me e rregullu demokracinë, po kundër mediave.
Që do me e luftu korrupsionin, po kundër opozitës, jo kundër hajnave të vet”, ka deklaruar Gjini.
Ai theksoi se problemi qëndron te ndërtimi i motivimit politik dhe narracionit publik që fokusohet në kundërshtimin e individëve ose grupeve të caktuara, në vend të krijimit të një vizioni të përbashkët për vendin.
Gjini gjithashtu përmendi ndarjet që po krijohen në shoqëri, duke veçuar raportet mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë, mes banorëve të qyteteve dhe fshatrave, si dhe mes pjesëtarëve të së njëjtës shoqëri. “Nuk guxojmë me i dhënë këto mesazhe si start.
Pushteti nuk mundet me qenë veç kundër diçkaje ose kundër dikujt.
Duhet me qenë për diçka”, ka përfunduar ai.