Parashikimi i Motit për Fundjavën: Ftohtë dhe me Reshje në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik njofton se gjatë datave 28–29 nëntor 2026, Kosova do të ndikohet nga depërtimi i masave ajrore të ftohta që vijnë nga veriperëndimi i Evropës.

Kjo situatë atmosferike do të shoqërohet me ajër të ftohtë që lëviz drejt Ballkanit, duke sjellë vranësira dhe reshje shiu e bore. “Trajektorja e mundshme e zhvendosjes përfshin Evropën Veriore dhe Qendrore, me kalim të mundshëm përmes Gjermanisë, Polonisë dhe Çekisë drejt Ballkanit.

Megjithatë, origjina e saktë e masës ajrore do të konfirmohet në vazhdimësi, përmes hartave sinoptike dhe analizës së trajektoreve atmosferike.

Kjo rrugë e masave ajrore, e orientuar kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, favorizon bartjen e ajrit të ftohtë nga gjerësitë e larta gjeografike drejt rajonit tonë,” thuhet në njoftim.

Gjatë rrugëtimit mbi hapësirën e Evropës Jugperëndimore, masat ajrore do t’i ruajnë karakteristikat e veta të ftohta, duke ndikuar në rënien e temperaturave.

Kosova pritet të përjetojë një episod të theksuar të ftohjes atmosferike, sidomos javën e ardhshme, kur zyrtarisht do të fillojmë stinën e dimrit meteorologjik, me karakteristikat e fillimit të sezonit dimëror.

IHK thekson se e shtuna do të jetë me mot të vranët dhe me reshje shiu e bore.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 2 deri në 5 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-9 m/s.

Ndërkaq, për të dielën parashikohet mot kryesisht i vranët dhe me reshje bore.

Temperaturat minimale do të jenë nga -5 deri në -3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 1 deri në 3 gradë.

Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–6 m/s.

Gjatë kësaj periudhe, kushtet biometeorologjike në Kosovë pritet të jenë kryesisht të pafavorshme, si pasojë e depërtimit të masave ajrore të ftohta dhe uljes së ndjeshme të temperaturave.

Kombinimi i temperaturave të ulëta, vranësirave dhe reshjeve të shiut e borës do të rrisë ndjesinë e të ftohtit në organizmin e njeriut.

Gjatë së shtunës, kushtet do të karakterizohen nga një stres termik në rritje, ndërsa të dielën ndikimi i të ftohtit pritet të jetë më i theksuar.

Temperaturat negative gjatë mëngjesit mund të shkaktojnë shqetësime te personat e moshuar, fëmijët dhe ata me ndjeshmëri të shtuar ndaj ndryshimeve meteorologjike.

Era nga veriperëndimi mund të intensifikojë ndjesinë e të ftohtit, veçanërisht në hapësirat e ekspozuara.

Lagështia dhe reshjet mund të shtojnë parehatinë gjatë qëndrimit në ambient të hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *