Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, në përvjetorin e 28 Nëntorit, u është drejtuar qytetarëve me një mesazh të ngrohtë, duke theksuar se kjo ditë përbën një moment të veçantë për krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar.
Ajo thekson se sot, flamuri me shqiponjën dykrenare valëvitet me krenari në çdo cep ku jetojnë shqiptarët, duke na bashkuar përtej kufijve dhe duke na kujtuar rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin që na lidh përgjithmonë. “28 Nëntori është dita kur historia, krenaria dhe identiteti ynë kombëtar marrin kuptim të veçantë.
Më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur.
Një akt historik që kurorëzoi përpjekjet dhe sakrificën e brezave që luftuan për lirinë e atdheut.” Presidentja vazhdon të theksojë se flamuri me shqiponjën dykrenare është simboli që na bashkon, duke na kujtuar se, pavarësisht kufijve, ne jemi të lidhur përmes historisë dhe traditave tona.
Ajo gjithashtu shpreh nderim për ata që luftuan dhe sakrifikuan për të mbrojtur këtë identitet, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së kësaj trashëgimie te brezat e ardhshëm. “Nderim për ata që luftuan dhe sakrifikuan.
Krenari për flamurin që na bashkon.
Përgjegjësi për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat që vijnë.”