Moti për këtë të shtunë, 28 nëntor 2026, pritet të karakterizohet nga reshje shiu me intensitet të lartë në disa zona të vendit, ndërsa në zonat malore do të ketë edhe dëborë.
Sipas parashikimit, reshjet më të forta do të përqendrohen në qarkun e Vlorës, ku lokalisht mund të arrijnë intensitet shumë të lartë.
Situatë me reshje mesatare deri lokalizuara intensive pritet gjithashtu në qarqet Berat, Korçë dhe Gjirokastër.
Në qytetet e Elbasanit dhe Fierit, parashikohen reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.
Ndërkohë, në pjesën tjetër të territorit, reshjet do të jenë kryesisht të dobëta deri mesatare.
Në verilindje, lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 500 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formën e dëborës.
Situata paraqitet shqetësuese në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, ku intensiteti i lartë i reshjeve mund të sjellë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara në zonat urbane.
Rreziku për këto të fundit do të varet gjithashtu nga gjendja e sistemit të kanalizimeve.
Pritet gjithashtu të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Sa i përket temperaturave, në zonat bregdetare ato do të luhaten nga 10 deri në 14 gradë Celsius, në zonat e ulëta nga 8 deri në 14 gradë, ndërsa në zonat malore do të jenë nga 2 deri në 10 gradë Celsius.
Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, por në bregdet dhe në zonat malore herë pas here mund të arrijë intensitet të fortë.