Akademia Përkujtimore në Llapushnik për Tri Figurta të Rëndësishme të Historisë Shqiptare

Sot u mbajt një akademi përkujtimore në Llapushnik të Drenasit, për nder të vendosjes së busteve të tri figurave të rëndësishme të historisë shqiptare: Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, theksoi se zbulimi i këtyre busteve i jep një bukuri të shtuar komunës përpara festës së madhe të 28 Nëntorit. “Zbulimi i busteve është nderim për të gjithë shqiptarët.

Sot, zbulojmë dhe nderojmë tri personalitete me të cilat historia e popullit shqiptar është me vlera të pashlyera dhe të pashmangshme…

Në këtë ditë nëntori, komuna jonë bëhet më e pasur dhe më e bukur me këto tri buste, të cilat përfaqësojnë vlera”, tha Lladrovci.

Pas fjalës së tij, aktori Xhevat Limani solli një interpretim artistik të poezisë “O flamur shkamb”.

Don Anton Uka, vikar ipeshkvor në Llapushnik, shprehu se kisha “Shën Abrahami” ka dëshmuar se feja dhe atdheu janë dy përgjegjësi që thërrasin për t’i shërbyer Zotit dhe njeriut. “Nuk është rastësi se kjo ngjarje po zhvillohet pikërisht në Kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik, sepse kjo kishë, me rrugëtimin e saj, ka dëshmuar dhe po dëshmon se feja dhe atdheu nuk janë dy dashuri përjashtuese, që përjashtojnë njëra-tjetrën, por dy përgjegjësi që na thërrasin t’i shërbejmë Zotit dhe njeriut”, tha ai.

Më pas, sopranoja Besiana Qani Mehmeti performoi një vepër artistike, dhe ngjarja vazhdoi me zbulimin e busteve të tri figurave historike.

Kujtojmë se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468) ishte një komandant ushtarak shqiptar i shekullit XV dhe hero kombëtar, i cili udhëhoqi për 25 vjet rezistencën shqiptare kundër Perandorisë Osmane.

Pjetër Bogdani (rreth 1630–1689) ishte kryepeshkop i Shkupit në shekullin XVII dhe autor i “Çetës së Profetëve”, e njohur si vepra e parë origjinale në prozë në gjuhën shqipe, duke shërbyer si gurthemel i letërsisë dhe identitetit kulturor shqiptar.

Adem Jashari (1955–1998), komandanti legjendar i UÇK-së, ra heroikisht në luftën e pabarabartë kundër forcave kriminale serbe gjatë Epopenës së lavdishme të Jasharëve nga 5-7 mars 1998 në Prekaz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *