Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësimin e tij ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me komunat, duke kërkuar një takim me kryetarët e komunave dhe përmbushjen e angazhimeve për financim dhe autonomi lokale.
Në një reagim nga Bordi i AKK-së, theksohet se komunat kanë përjetuar shpesh kritika dhe deklarata nga ana e kryeministrit, të cilat, sipas tyre, kanë vënë në dyshim punën dhe përgjegjësitë e pushtetit lokal. “Si Bord i Asociacionit të Komunave të Kosovës, po e shohim se komunat e kanë marrë një dëftesë të tërë prej jush.
Në vitin 2022, për mosdorëzimin e listave të pagave gjatë grevës, na doli vërejtja ‘politikë antishtetërore’.
Në shtator 2025, ‘komunat dembele’”, deklarohet në reagim.
AKK ka përmendur gjithashtu deklaratat e nëntorit të vitit 2025, kur Kurti kishte paralajmëruar se buxheti nuk do t’u ndahej kryetarëve që “nuk dinë të punojnë mirë” ose “vjedhin”.
Në reagim, kritikohet gjithashtu një deklaratë e fundit e kryeministrit që sugjeron mundësinë e një centralizimi më të madh në arsimin publik. “Tash po na thoni edhe se do të parapëlqenit që arsimi të ishte më i centralizuar.
Veç vula e Ministrisë po i mungon dëftesës”, theksohet në reagim.
Asociacioni gjithashtu ka ngritur shqetësime për mosrealizimin e Grantit të Katërt për investime kapitale, përmes të cilit ishte premtuar më shumë autonomi për komunat.
AKK ka theksuar se kanë kaluar më shumë se dy vjet nga takimi i fundit i Kurtit me kryetarët e komunave, ndonëse Asociacioni ka kërkuar një takim. “Për çdo vendim e për çdo euro publike, kryetarët kanë detyrë me dhanë llogari.
Për çdo dyshim për keqpërdorim ka institucione që e trajtojnë.
Buxheti u takon qytetarëve dhe duhet të ndahet sipas ligjit, nevojave dhe kritereve të barabarta.
Nota që ia jep kryeministri kryetarit prej foltores s’figuron askund në formular”, thuhet në reagim.
Në përfundim, AKK i ka bërë thirrje Kurtit që të caktojë një takim me kryetarët e komunave, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të përmbushur zotimet për financimin dhe autonominë lokale. “Kryeministër, boll ma me përçmime.
Caktojeni takimin.
Uluni me kryetarët, dëgjojini hallet e qytetarëve dhe mbajini zotimet për financimin dhe autonominë lokale”, theksohet në reagim.