Prokuroria e Tiranës ka nisur ftesat për qytetarët që kanë pësuar dëmtime gjatë protestave në Tiranë, me qëllim që të dëgjohet rrëfimi i tyre mbi mënyrën si u plagosën nga plumbat e gomës.
Nga lista e katër shtetasve, tre prej tyre janë të dëmtuar në bark, ndërsa një tjetër në sy.
I pari që do të pyetet është Erion Vishkulli, i cili u plagos në sy dhe, pas ndërhyrjeve në Itali, është rikthyer në Shqipëri.
Të riut i është dërguar ftesa për t’u pyetur më 25 nëntor, në orën 11:00.
Ndërkohë, për shkak se autoritetet italiane ende nuk kanë sjellë letërporosinë që konfirmon zyrtarisht nëse 28-vjeçari është plagosur me plumb gome, akuza vazhdon me veprime të tjera.
Një nga to është kërkesa për të administruar identitetin e oficerëve që kishin të drejtë të përdornin armë me plumba gome, planvendosjet e tyre dhe, gjithashtu, planin e masave për protestat.
Numri i të arrestuarve në gjykatë ka kaluar 300, dhe masat e shpallura nga gjykata përbëjnë në përqindjen më të lartë masën e detyrimit me paraqitje.
Prokuroria gjithashtu ka bashkuar 20 kallëzime nga qytetarët që pretendojnë se janë dhunuar dhe ndaj tyre janë kryer veprime arbitrare.
Më herët, në daljet publike, ministri i Brendshëm Ervin Demo deklaroi se gjatë ditëve të protestave të dhunshme janë dëmtuar 200 punonjës policie dhe 107 protestues, duke theksuar se organizatorët e protestës kishin përdorur të mitur në veprimet e dhunshme kundër policisë dhe institucioneve.
Për këtë, ministri ndau shifrën prej 269 shtetasve të shoqëruar që ishin nën moshën 18 vjeçare.