Organizatave që kanë dalë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të organizojnë një aktivitet simbolik të enjten para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, për të shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në përvjetorin e gjashtë të arrestimit të tyre.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, në një konferencë për media, njoftoi se aktiviteti do të mbahet në orën 12:00, ku përfaqësuesit e tri organizatave do të sjellin mesazhe publike në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së.
Syla theksoi se kanë kërkuar gjithashtu nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që kryetarët dhe administratat komunale të dalin para objekteve të komunave në shenjë solidariteti. “Në rastin e këtij vjetori të arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne veteranët, bashkë me invalidët dhe familjet e dëshmorëve, do të organizojmë një aktivitet simbolik për të shprehur pakënaqësinë tonë ndaj këtij procesi gjyqësor në Hagë dhe për të shprehur solidaritetin me ish-krerët e UÇK-së.
Aktiviteti do të mbahet nesër në orën 12:00 para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku përfaqësuesit e këtyre tri organizatave do të përcjellin mesazhe publike për të shprehur qëndrimet dhe shqetësimet tona lidhur me këtë proces.
Po ashtu, kemi kërkuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që nesër, në të njëjtën orë, kryetarët e komunave, së bashku me administratat komunale, të dalin para objekteve të komunave të tyre në shenjë solidariteti.
Ne besojmë se solidariteti me ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesat për një proces gjyqësor të drejtë janë çështje që prekin kujtesën tonë historike dhe besimin e qytetarëve në drejtësi,” tha Syla.
Ai gjithashtu foli për zhgënjimin e tij lidhur me kthimin e ligjit për dhomat e specializuara, duke shprehur pritshmërinë për reflektim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. “Ne e kemi bërë publike qëndrimin tonë lidhur me kthimin e ligjit.
Për ne ka qenë tepër e papranueshme.
Ju e dini se u ndërtua një kauzë për këtë ligj, që u votua, por tani ajo kauzë me kthimin e tij në njëfarë forme ra poshtë.
Jemi shumë të zhgënjyer me këtë akt, prandaj presim reflektimin edhe një herë të deputetëve, për të parë se si do të ndodhë me këtë ligj.
Jemi të bindur se çfarëdo ligji që vjen pas tij do të jetë më i dobët se ky që ka qenë.
Prandaj, përgjegjësia për këtë mbetet te institucionet tona, veçanërisht Kuvendi i Republikës së Kosovës, por jemi shprehur një zhgënjim të madh lidhur me këtë proces.
Jemi tepër të pakënaqur me atë që ka ndodhur dhe do të shohim se si do të veprojë Kuvendi i Republikës së Kosovës,” shtoi ai.
Për rastin e dytë në Hagë, që do të mbahet më 17 nëntor, OVL UÇK nuk pret dënim të drejtë.
Kjo organizatë nuk ka besim në Gjykatën Speciale në Hagë. “Kemi qenë kundër, vazhdojmë të jemi kundër.
E kam parë që kjo gjykatë, kur nuk u përmend kurrë më raporti i Dick Marty në akuzë, ne e kemi ditur se ka dalë nga misioni i saj.
Prandaj, çfarëdo që vjen nga kjo gjykatë, ne e dimë se është dashakeqëshe, edhe kur është themeluar me ndonjë dënim.
Asnjëherë nuk ka nxjerrë drejtësi.
Prandaj, jemi në pritje edhe të asaj të madhkeqes, qoftë edhe eventualisht me ndodhur ndonjë dënim sërish, sepse nuk i besojmë më kësaj gjykate,” përfundoi Syla.
Ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vjet burgim në shkallën e parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.