Zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e VLEN-it, Astri Iseni, ka akuzuar ish-strukturat e BDI-së dhe rrethin familjar të kryetarit të saj, Ali Ahmeti, për një skemë të dyshimtë financiare që, sipas tij, lidhet me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë një konference për media, ai theksoi se oligarku serb Davor Macura, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi, ka marrë kontrollin mbi ish-“Stopanska Bankën” e Manastirit, e cila më vonë u riemërua në “Alta Banka Maqedoni”, duke blerë aksionet nga kompania familjare e Selahudin Arifit, të cilin ai e cilësoi si krushk të Ali Ahmetit.
Sipas Iseni-it, në tetor të vitit 2024, kompania “AS Senjak” nga Kërçova, në pronësi të Selahudin Arifit, kishte hyrë në sektorin bankar duke blerë një paketë të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Bankën” e Manastirit. “Davor Macura i blen aksionet për hyrje në Alta bankë drejtpërdrejt nga krushku i Ali Ahmetit,” deklaroi zëvendësministri, duke pretenduar se transaksionet e mëvonshme krijojnë një lidhje financiare mes kompanisë së Arifit dhe biznesit të Macurës.
Ai gjithashtu iu referua një kredie prej 5 milionë eurosh, për të cilën tha se më 9 qershor 2025, një kompani e lidhur me rrethin familjar të Ahmetit e kishte marrë drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.
Sipas Iseni-it, disa muaj më vonë ka ndodhur edhe transaksioni i aksioneve. “Vetëm tre muaj më vonë, më 17 shtator 2025, ndodh akti përfundimtar: kompania ‘AS Senjak’ e krushkut të Ahmetit zyrtarisht ia shet aksionet e saj në bankën e Manastirit pikërisht Davor Macurës dhe ‘Alta Bankës’ së tij, duke i mundësuar kështu marrjen e drejtpërdrejtë të bankës në Maqedoni,” u shpreh Iseni në konferencë për shtyp.
Ai pretendon se kronologjia e këtyre transaksioneve ngre dyshime që duhet të hetohen nga institucionet kompetente. “Skema në relacionin Zajaz – Kërçovë – Beograd është e qartë si kristali,” tha zëvendësministri, duke lidhur kredinë e qershorit me shitjen e aksioneve në shtator.
Iseni ngriti disa pyetje lidhur me burimin e financimit dhe natyrën e transaksioneve, duke përmendur nëse kredia prej 5 milionë eurosh e dhënë në qershor nga “Alta Banka” në Beograd mund të ketë shërbyer për financimin e hyrjes së Macurës në tregun maqedonas.
Gjithashtu, ai kërkoi sqarime nëse shitja e aksioneve më 17 shtator 2025 ka qenë e lidhur me kredinë e marrë më parë dhe çfarë ka qenë diferenca në çmim, fitimi neto apo komisionet e mundshme të realizuara nga rrethi familjar i biznesit të Ahmetit.
Iseni përmendi edhe ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi, duke pretenduar se ata kanë mbështetur politikisht hyrjen e “Alta Bankës” në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut. “Derisa ata politikisht ia hapnin rrugën në institucionet shtetërore, krushku i Ali Ahmetit ia ruante dhe më pas ia rishiste aksionet Davor Macurës,” u tha nga VLEN.
Zëvendësministri kërkoi nga Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare që të nisin hetim për këto transaksione të përmendura. “Prokuroria publike dhe Drejtoria e inteligjencës financiare nuk kanë më asnjë justifikim për të pritur.
Kërkojmë hetim urgjent që do t’i vë në një linjë kredinë prej 5 milionë eurosh të 9 qershorit 2025 dhe shitjen e aksioneve të 17 shtatorit 2025,” deklaroi ai.
Në përfundim, Iseni tha se sistemi bankar i vendit nuk duhet të bëhet “pre e oligarkëve rajonalë në paraburgim dhe e kartelit familjar të biznesit të Ali Ahmetit,” duke kërkuar që për transaksionet të ketë përgjegjësi financiare dhe penale nëse hetimet konstatojnë shkelje të ligjit.