Alajdin Fusha: Kosto e Lartë e Energjisë Elektrike Kërcënim për Prodhuesit Vendorë

Biznesmeni nga Prizreni, Alajdin Fusha, ka shprehur shqetësimin e tij për çmimin e lartë të energjisë elektrike që po e përballojnë prodhuesit vendorë, duke publikuar një faturë prej 157 mijë eurosh që fabrika e tij e ka marrë nga KESCO.

Në një reagim publik, Fusha ka bërë të ditur se fatura e pranuar më 9 nëntor 2026, arrin vlerën 157,884.67 euro për 505,974 kilovatë-orë (kWh) energji elektrike të faturuar.

Ai ka theksuar se, pas llogaritjeve të tij, duke përfshirë të gjitha kostot e furnizimit, rrjetit dhe TVSH-së, çmimi i një kilovat-orë shkon deri në 0.312 euro, që do të thotë 31.2 centë.

Fusha ka shtruar pyetje se si mund të mbijetojë dhe të jetë konkurues prodhimi vendor me këto kosto të energjisë elektrike.

Ai ka theksuar se energjia është një nga shpenzimet kryesore të industrisë përpunuese, e cila ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të produkteve, mundësinë e investimeve dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Si shembull, ai ka përmendur prodhimin e qumështit dhe përpunimin e produkteve bujqësore, duke theksuar se prodhuesit përveç lëndës së parë duhet të përballojnë edhe shpenzimet e energjisë, ambalazhimit, pagave, transportit dhe tatimeve.

Fusha ka nënvizuar se kompania e tij ka investuar më herët në panele solare për të zvogëluar varësinë nga energjia e blerë, por ka shprehur shqetësim për fabrikat që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë investime të tilla.

Ai i është drejtuar publikisht ministres së Ekonomisë, Mimoza Kusari-Lila, duke kërkuar që institucionet të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të mekanizmave për mbrojtjen e prodhuesve nga kostot e larta të energjisë elektrike.

Fusha ka bërë një paralele me diskutimet e fundit për monitorimin e tregut të naftës dhe mundësinë e rikthimit të çmimit tavan për derivatet, duke pyetur nëse masa të ngjashme mbrojtëse mund të shqyrtohen edhe për energjinë elektrike. “Nuk po kërkojmë energji falas.

Nuk po kërkojmë privilegje.

Po kërkojmë kushte ekonomikisht të përballueshme për të prodhuar në Kosovë”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, biznesmeni ka paralajmëruar se kostot e larta mund t’i detyrojnë prodhuesit të rrisin çmimet, të zvogëlojnë prodhimin, të shtyjnë investimet apo edhe të ndërpresin aktivitetin.

Ai u ka bërë thirrje Qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të shqyrtojnë urgjentisht koston e energjisë për industrinë përpunuese, transparencën e formimit të çmimeve dhe mundësinë e mbështetjes për investimet në energji të ripërtëritshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *