Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka shprehur shqetësimin e tij pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e quajtur këtë veprim të papranueshëm.
Në një postim në platformën X, Bajrami theksoi se ky aktivitet ishte organizuar nga Komisioni Evropian, nën drejtimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Ai theksoi se interpretimi i kësaj kënge nuk mund të trajtohet si shkëmbim kulturor, duke pasur parasysh se ajo ka përmbajtje me pretendime të qarta politike ndaj territorit të Republikës së Kosovës. “Ky nuk është shkëmbim kulturor.
Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës”, shkruajti Bajrami.
Ai e vlerëson përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, që synon të promovojë zgjerimin, unitetin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, si të papranueshme.
Ambasadori kërkoi një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Marta Kos lidhur me kriteret e përzgjedhjes dhe miratimit të repertorit muzikor për këtë aktivitet.
Bajrami theksoi se Kosova pret të marrë përgjigje se kush ishte përgjegjës për përzgjedhjen e këngës dhe si ajo arriti të përfshihet në programin e një ngjarjeje zyrtare evropiane.
Gjithashtu, ai ngriti pikëpyetje mbi përputhshmërinë e këtij veprimi me vlerat evropiane dhe parimet që Bashkimi Evropian pretendon t’i promovojë në procesin e zgjerimit.