Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, është duke marrë pjesë në Forumin Botëror të Ushqimit, i cili ka filluar punimet në Romë, Itali, me ftesë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).
Forumi i këtij viti ka moton “Inovo sot.
Ushqe të nesërmen”, dhe është përqendruar në veprimin global të të rinjve, shkencën dhe inovacionin, si dhe në investimet dhe partneritetet për zhvillimin e sistemeve ushqimore.
Gjatë këtij forumi, Shala do të theksojë rëndësinë e krijimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe sigurimin e investimeve për Kosovën, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe në projektet që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Një tjetër temë e diskutimeve të saj do të jetë përfshirja e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe roli i tyre në krijimin e zgjidhjeve për sfidat globale të ushqimit.
Forumi synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet të rinjve, institucioneve, komunitetit shkencor dhe sektorit privat për ndërtimin e sistemeve ushqimore më të qëndrueshme.
Në kuadër të forumit, Shala pritet të zhvillojë diskutime me delegacionet pjesëmarrëse rreth mundësive të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjes së Kosovës në iniciativa që mbështesin investimet dhe zhvillimin bujqësor.
Gjatë qëndrimit të saj në Romë, ajo do të ketë takime edhe me përfaqësues të shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilët po marrin pjesë në këtë forum.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje ndërkombëtare ka për qëllim krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim, promovimin e potencialit të Kosovës dhe forcimin e lidhjeve me partnerët ndërkombëtarë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik.