Arrestimet në Trieste: Operacioni Kundër Trafikut të Kokainës

Pesë persona janë arrestuar nga karabinierët në zonën e Triestes, në Itali, në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut dhe shpërndarjes së kokainës.

Në mesin e të arrestuarve janë tre italianë nga Trieste dhe dy shqiptarë, që jetojnë në rajonin e Lombardisë.

Operacioni është realizuar nga Njësia Operative dhe Radiomobile e Karabinierëve të Aurisinës, në zbatim të një urdhri për masën e sigurisë “arrest me burg”, të lëshuar nga Gjykata e Triestes pas kërkesës së Prokurorisë.

Hetimet e këtij rasti filluan në muajin shkurt, pas sekuestrimit të disa dozave kokainë te konsumatorë lokalë, të cilët dyshohet se e kishin blerë lëndën narkotike në banesën e një 59-vjeçari në Duino Aurisina.

Pas këtij konstatimi, hetuesit organizuan vëzhgime, ndjekje dhe përgjime telefonike e ambientale, duke arritur të identifikojnë individët e dyshuar si korrierë, furnizues dhe financues të rrjetit të shpërndarjes së kokainës në provincën e Triestes.

Gjatë hetimeve, u arrestuan në flagrancë edhe dy burra, 59 dhe 62 vjeç, të dy nga Trieste, të cilët u kapën duke transportuar përkatësisht 100 dhe 33 gramë kokainë.

Sipas hetuesve, ky rrjet kishte një mënyrë të organizuar shpërndarjeje, pasi lënda narkotike u dërgohej klientëve drejtpërdrejt në banesat e tyre ose në vendet e punës.

Blerësit ishin kryesisht konsumatorë të rregullt nga zona e Triestes, të cilët janë identifikuar dhe raportuar tek autoritetet.

Në mesin e personave të dyshuar si furnizues kryesorë, është një 49-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili ndodhet prej disa muajsh në burgun e Bergamos, pasi ishte arrestuar më herët për posedim të 94 kilogramëve kokainë me qëllim trafikimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *