Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka shprehur mendimin se statusi aktual i Kosovës në procesin e integrimit evropian nuk reflekton progresin e dukshëm që ka arritur vendi në disa fusha.
Në një postim në platformën X, Zulfaj theksoi se Kosova ka bërë përmirësime të konsiderueshme në pesë tregues ndërkombëtarë, të cilët matin sundimin e ligjit, liritë demokratike, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe zgjedhjet.
Ai rikujtoi se, megjithëse Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, ajo mbetet ende vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka fituar statusin e vendit kandidat për BE. “Ky është kuptimi i asaj që kryeministri Kurti thotë kur deklaron se statusi i Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk pasqyron progresin e saj”, ka shkruar Zulfaj.
Ai theksoi se përparimi i Kosovës duhet të pranohet dhe reformat duhet të shpërblehen, duke kërkuar që procesi i zgjerimit të BE-së të bazohet në meritë dhe të aplikohet në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet.