Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në dy grabitje të armatosura të argjendarive në Gjakovë, të cilat ndodhën më 5 dhe 16 nëntor të vitit 2026.
Sipas njoftimit të Policisë, grabitja e parë ka ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”.
Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë kërcënuar pronarin e argjendarisë dhe kanë grabitur ari me vlerë rreth 30 mijë euro, si dhe 2 mijë euro para të gatshme.
Rasti i dytë është regjistruar më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë.
Gjatë këtij incidenti, po ashtu dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një argjendari, ku njëri dyshohet se ishte i pajisur me armë të gjatë, ndërsa tjetri me një çekan.
Të dyshuarit kanë kërcënuar personat e pranishëm, dhe një nga ata ka thyer vitrinën me çekan duke marrë një sasi stolish ari, kryesisht zinxhirë.
Gjatë grabitjes, një nga viktimat ka tentuar të marrë armën nga njëri prej të dyshuarve, por ky i fundit ka shtënë me armë zjarri, duke e plagosur atë në këmbën e djathtë.
Më poshtë lexoni njoftimin e plotë të Policisë së Kosovës: Më datën 5.11.2026, rreth orës 17:15 në rr. “Nënë Tereza” në Gjakovë, ka ndodhur një grabitje nga dy persona të maskuar dhe të armatosur.
Ata nën kërcënimin e armës kanë arritur të grabisin nga pronari i argjendarisë një sasi ari dhe para, duke u larguar në drejtim të panjohur.
Sipas ankuesit, vlera e arit është rreth 30.000 € si dhe para të gatshme rreth 2.000€.
Pas këtij rasti, të gjitha njësitet relevante janë angazhuar për hetim, duke analizuar pamjet nga kamerat e sigurisë për të identifikuar lëvizjet dhe identitetin e të dyshuarve.
Më 16.11.2026, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë, ka ndodhur një tjetër grabitje në një argjendari, me të njëjtat rrethana.
Njëri nga të dyshuarit dyshohet se kishte një armë të gjatë, ndoshta një AK-47, ndërsa tjetri kishte një çekan.
Duke ecur brenda argjendarisë, ata kanë kërcënuar personat e pranishëm dhe njëri nga ta ka thyer xhamin e vitrinës për të marrë një sasi stolish ari.
Gjatë ngjarjes, një nga viktimat ka tentuar të marrë armën e dyshuarit, por është plagosur.
Pas grabitjes, dy të dyshuarit janë larguar fillimisht në këmbë drejt Sheshit të Çarshisë së Vjetër, e më pas dyshohet se kanë hipur në një veturë Golf 7 me ngjyrë të bardhë.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë nisur hetimin për të identifikuar autorët.
Më 17.11.2026, Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë, me ndihmën e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, kanë kryer bastisje në shtëpinë e A.
U., ku është gjetur mjeti që dyshohet se është përdorur në grabitje, një armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash.
Po ashtu, është kontrolluar edhe personi L.
I., ku janë gjetur prova lidhur me veprën penale.
Deri më tani, janë sekuestruar prova materiale si para të gatshme, një veturë Golf 7, një sasi ari, dy telefona dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Bazuar në provat dhe dëshmitë e siguruara, këta persona dyshohet se janë të përfshirë në të dy grabitjet e argjendarive në Gjakovë, dhe hetimi është ende në zhvillim.
Policia e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet e sigurisë, dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme në koordinim me prokurorinë kompetente.