Arrestohet ‘koka’ e grabitësve të kasafortave në Durrës

I dyshuari me inicialet A.R, i njohur si ‘koka’ e grabitësve të kasafortave në kryeqytet, do të mbetet në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Ky vendim është marrë nga Gjykata e Durrësit. 51-vjeçari u arrestua të dielën nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se kishte kryer vjedhjen e një apartamenti në lagjen nr. 4, nga ku janë marrë 22 mijë euro, 800 mijë lekë dhe sende luksoze.

Vjedhja, e cila u realizua pa thyerje, u zbulua nga nëna e pronarit të banesës, i cili jeton jashtë vendit.

Gruaja, e cila kujdesej për apartamentin, vuri re mungesën e sendeve me vlerë dhe parave, duke e njoftuar menjëherë policinë, e cila e arrestoi pas verifikimeve të kryera.

Në pranga përfundoi edhe një 24-vjeçare nga Lushnja, e dyshuar si bashkëpunëtore e Rapit.

Gjykata i caktoi asaj masën “arrest në shtëpi”, ndërsa për 51-vjeçarin vendosi “arrest në burg”.

Sipas hetimeve, sendet e vjedhura ishin dërguar në banesën e 24-vjeçares, ku policia gjeti një pjesë të tyre.

Ndërkaq në shtëpinë e Rapit në lagjen 13 të Durrësit u sekuestruan maska, çelësa dhe veshjet që dyshohet se u përdorën gjatë vjedhjes.

Hetimet për rastin vijojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *