Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti për mosmiratimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2027 brenda afatit të caktuar nga ligji.
Ajo e akuzon atë se po e vendos partinë mbi institucionet shtetërore.
Në një postim në Facebook, Bajrami thekson se, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Qeveria është e detyruar ta dorëzojë Projektligjin për Buxhetin në Kuvend jo më vonë se më 31 tetor.
Megjithatë, ajo shprehet se, ndonëse ky afat përfundon më 31 tetor, projektbuxheti ende nuk është miratuar në Qeveri.
Sipas Bajramit, Kurti ka paralajmëruar se buxheti do të miratohet në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, që do të mbahet të hënën, më 2 nëntor.
Deputetja e LDK-së kujton se vitin e kaluar, më 31 tetor, Kurti kishte deklaruar se buxheti ishte miratuar brenda afatit ligjor.
Ajo e kritikon kryeministrin për mënyrën e trajtimit të procesit të miratimit të buxhetit, duke theksuar se “meqë tashmë veç kemi rrëshqitur në parti-shtet, buxheti i Republikës fillimisht ‘kaloi’ filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj do të miratohet në Qeveri dhe pas çdo afati ligjor do t’i dërgohet Kuvendit”.
Bajrami gjithashtu shtron pikëpyetje mbi paralajmërimin e mbi një miliard eurove për investime kapitale, duke theksuar se vlerësimi i tyre do të bëhet vetëm pasi të publikohet projektbuxheti.
Ajo përmend vonesat në përfundimin e Autostradës së Gjilanit, për të cilën janë shpenzuar rreth 80 milionë euro, dhe akuzon për zvarritjen e projekteve të tjera rrugore. “Një gjë është me i nda 1 miliard euro në letër, e krejt tjetër me i shndërru ato në rrugë, shkolla, spitale e projekte të përfunduara”, thekson ajo.
Në përfundim, deputetja e LDK-së kërkon që institucionet shtetërore të respektojnë ligjin dhe afatet. “Buxheti është i shtetit/qytetarëve, jo i partisë.
Ligji dhe afatet ligjore vlejnë dhe duhet të respektohen edhe nga qeveritarët”, përfundon Bajrami.