Beatrix Ramosaj ka reaguar për situatën në Shqipëri, duke ndarë një mesazh të gjatë në InstaStory, ku shpreh mbështetje për studentët dhe të rinjtë që kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Ajo kujton dhimbjen e largimit nga vendi dhe ndjenjën e të qenit mes dy zgjedhjeve: të qëndrosh pranë njerëzve të dashur apo të largohesh për më shumë mundësi. “E kujtoj atë dhimbje.
Dhimbjen e të ndierit se i përket diku, por njëkohësisht të lutesh për të gjetur një rrugëdalje,” shkruan ajo, duke reflektuar mbi vështirësitë që i shtyjnë shumë të rinj të mendojnë për largimin nga Shqipëria.
Këngëtarja tregon se edhe ajo vetë, disa muaj më parë, kishte menduar për mundësinë e kthimit.
Por, zhvillimet e fundit në vend ia kanë rikthyer frikërat që kishte shpresuar t’i linte pas.
Ajo ndalet edhe te sakrificat e familjeve që punojnë dhe përpiqen t’u sigurojnë fëmijëve një të ardhme më të mirë, duke theksuar se është e dhimbshme kur, pas gjithë atyre përpjekjeve, të rinjtë sërish ndihen të detyruar të largohen. “Largimi duhet të jetë zgjedhje, jo e vetmja mënyrë që mund të imagjinosh për ta përmirësuar jetën tënde.
Qëndrimi nuk duhet të nënkuptojë heqjen dorë nga ëndrrat,” shkruan Ramosaj.
Në fund të mesazhit, ajo shpreh mbështetje për studentët dhe të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. “Ne kemi nevojë për ndryshim.
Kemi nevojë të dëgjohemi.
Njerëzve nuk mund t’u kërkohet vazhdimisht të durojnë gjithçka dhe të mos presin asgjë,” përfundon këngëtarja, duke shoqëruar postimin me hashtagët #MeStudentet dhe #Shqiperia.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur studentët dhe qytetarët në Shqipëri po protestojnë për kushte më të mira, më shumë mundësi dhe një të ardhme më të sigurt, të lidhura me pakënaqësitë për vështirësitë ekonomike dhe mundësitë e punësimit.