Berisha akuzon policinë për dhunë gjatë protestës në Tiranë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një konferencë urgjente për mediat pas protestës së sotme në Tiranë, ku akuzoi policinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve.

Ai e përshkroi situatën si një “ditë dhe natë terrori”, duke pretenduar se efektivë të forcave “Shqiponja” dhe RENEA kanë ushtruar dhunë të paparë ndaj qytetarëve dhe kanë përdorur armët në mënyrë të paligjshme.

Berisha theksoi se një i ri kishte pësuar dëmtim të rëndë në sy, dhe përmendi edhe raste të tjera të protestuesve që ishin lënduar.

Ai kritikoi arrestimet, të cilat i konsideroi të paligjshme, dhe akuzoi policinë për dhunë ndaj disa qytetarëve. “Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s’kanë pasë asnjë lidhje me protestën.

Unë sot këtu, dua t’i informoj shqiptarët se në mënyrë të përsëritur, banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin.

Për të mos thënë jo vetëm vajzat.

Horra si ata nuk ka Shqipëria!” Kreu i PD-së paralajmëroi se efektivët që kanë kryer shkelje do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

Ai ftoi qytetarët të bashkohen në protestën e nesërme dhe njoftoi se Partia Demokratike do të organizojë protesta të tjera kombëtare. “Partia Demokratike pa diskutim që do të thërrasë protesta të tjera kombëtare si në mbështetje të studentëve ashtu si për kauza të tjera që lidhen ngushtë me studentët dhe të vërtetën e kësaj periudhe.

Kështu që është një detyrim madhor, jo partiak, të mbështesësh ato vajza që kanë treguar një guxim të jashtëzakonshëm.

Ju jeni gazetarë dhe lexoni, por ato kanë fituar një simpati botërore të paparë.

Mediat e botës dhe rrjetet sociale i mbajnë ato me flamur,” përfundoi Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *