Gazetari Ermal Panduri ka njoftuar se një biznesmene, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, është angazhuar për shlyerjen e borxhit prej 8 mijë e 84 eurosh të Arlinda Zekajt.
Sipas Pandurit, një i afërm i Arlindës, që kishte qenë garantues për kredinë, ka marrë mesazhe të vazhdueshme nga Banka Financiare Kreditimi Rural i Kosovës, lidhur me vonesat në pagesën e kësteve të kredisë.
Panduri ka sqaruar se shuma e papaguar arrin në 8 mijë e 84 euro, ndërsa një grua nga bota e biznesit ka shprehur gatishmërinë për ta shlyer të gjithë borxhin. “Një i afërm i Arlindës ka pranuar qysh të premten plot mesazhe për vonesa në pagesë të kredive për Arlinda Zekaj.
Diku 8 mijë e 84 euro kanë mbetur pa paguar, për çka i janë dërguar një të afërmi të Arlindës, i cili ka qenë garantues, mesazhe të vazhdueshme nga Banka Financiare Kreditimi Rural i Kosovës, të cilat thoshin se duhet të bëhet pagesa e këstit”, ka deklaruar Panduri.
Ai ka theksuar se biznesmenja preferon që identiteti i saj të mbetet i panjohur.