Danimarka Rishikon Trajnimin e Gardianëve Kosovarë pas Akuzave për Dhunë

Danimarka ka njoftuar se do të rishikojë programin e trajnimit për gardianët kosovarë, pas dyshimeve se dy prej tyre kanë ushtruar dhunë ndaj një të burgosuri në Kopenhagë.

Gardianët nga Kosova trajnohen në Danimarkë si pjesë e marrëveshjes mes dy vendeve, e cila parashikon transferimin e deri në 300 të burgosurve nga burgjet daneze në institucionin korrektues të Gjilanit.

Ky incident ka ngritur shqetësime rreth mënyrës se si do të parandalohet dhe hetohet keqtrajtimi në burgun e Gjilanit, ku përgjegjësitë do të ndahen mes Kosovës dhe Danimarkës.

Shërbimi Korrektues i Danimarkës konfirmoi se incidenti ka ndodhur më 5 tetor në burgun Vestre në Kopenhagë, dhe rasti është referuar policisë daneze. “Ky institucion nuk komenton raste individuale, por akuzat për dhunë ndaj të burgosurve janë serioze dhe janë ndërmarrë hapat e nevojshëm”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas agjencisë daneze të lajmeve Ritzau, dy gardianët kosovarë, të moshave 24 dhe 29 vjeç, dyshohen se kanë goditur me grushte një të burgosur brenda qelisë së tij.

Njëri dyshohet se e ka shtyrë të burgosurin mbi shtrat dhe e ka goditur një herë në fytyrë, ndërsa tjetri disa herë në fytyrë dhe trup.

Ata u arrestuan më 6 tetor, por gjykatat daneze refuzuan kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e tyre, duke vlerësuar se nuk ekzistonte rrezik i konsiderueshëm arratisjeje.

Vendimi u la në fuqi më 9 tetor nga Gjykata e Lartë e Danimarkës Lindore.

Hetimet për rastin vazhdojnë dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar gjyqësor.

Shërbimi Korrektues i Kosovës theksoi se nuk mund të japë informacione, pasi rasti është nën hetim.

Ende nuk dihet nëse dy zyrtarët janë pezulluar nga detyra, nëse vazhdojnë të qëndrojnë në Danimarkë apo nëse janë ndërmarrë masa disiplinore. Çfarë do të ndryshojë në trajnim?

Shërbimi Korrektues i Danimarkës tha se do të rivlerësojë përgatitjen profesionale të gardianëve kosovarë. “Tani do ta rishikojmë programin e trajnimit për zyrtarët kosovarë që po kryejnë praktikën në Danimarkë, për t’u siguruar që trajnimi të jetë i cilësisë së lartë dhe t’i përmbushë plotësisht kërkesat tona”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Trajnimi përfshin njohjen me rregullat daneze, menaxhimin e konflikteve dhe praktikat e punës në burgje.

Sipas autoriteteve daneze, trajnimet e ardhshme pritet të kombinojnë mësimin teorik dhe praktik në Kosovë dhe Danimarkë.

Drejtoresha e Shërbimit Korrektues të Danimarkës, Ina Eliasen, tha se institucioni kishte pasur përvoja të mira me gardianët kosovarë dhe se priste që incidenti të ishte rast i izoluar.

Megjithatë, ngjarja ka nxitur nevojën për të shqyrtuar nëse trajnimi dhe praktika profesionale janë të mjaftueshme.

Kjo ngjarje do të merret parasysh edhe gjatë hartimit të një mekanizmi të posaçëm mbikëqyrjeje për burgun e Gjilanit, i cili ishte planifikuar përpara incidentit.

Autoritetet daneze nuk kanë specifikuar se çfarë ndryshimesh konkrete do të sjellë rishikimi.

Deri më tani, 34 gardianë kosovarë e kanë përfunduar trajnimin në Danimarkë, ndërsa për burgun e Gjilanit parashihet angazhimi i 200 gardianëve.

Ndërsa incidenti në Kopenhagë hetohet nga autoritetet daneze, një rast i ngjashëm në burgun e Gjilanit do të trajtohej ndryshe.

Atje, ndonëse do të zbatohen rregullat daneze, përgjegjësia për hetimin dhe ndjekjen penale të gardianëve kosovarë do t’u takojë autoriteteve të Kosovës.

Burgu do të jetë nën drejtimin e përgjithshëm të një guvernatori danez, të mbështetur nga ekipe operative dhe administrative, përfshirë dy zëvendësguvernatorë.

Një drejtor i emëruar nga Kosova do të ketë përgjegjësi për menaxhimin e objektit dhe personelit vendas.

Ankesat që lidhen me ekzekutimin e dënimeve daneze do të trajtohen nga autoritetet e Danimarkës, përfshirë gjykatat e saj.

Kjo ndarje e përgjegjësive ka ngritur shqetësime te Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), i Këshillit të Evropës.

Në një raport të dhjetorit 2024, Komiteti vlerësoi se marrëveshja ngre çështje serioze, përfshirë heqjen dorë pjesërisht nga juridiksioni danez për vepra penale që, në parim, duhet të mbeten përgjegjësi e Danimarkës.

CPT-ja ngriti gjithashtu shqetësime për përputhshmërinë e marrëveshjes me dy parime themelore të Konventës së Këshillit të Evropës për Transferimin e Personave të Dënuar dhe kërkoi sqarime nga autoritetet daneze.

Marrëveshja obligon drejtuesin danez të burgut të bashkëpunojë me autoritetet kosovare gjatë hetimeve penale dhe parasheh respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Danimarkës për trajtimin e të burgosurve.

Por, se si do të funksionojë kjo ndarje e përgjegjësive në rastet e dyshimeve për keqtrajtim, mbetet të shihet pas hapjes së burgut.

Marrëveshja parasheh disa mekanizma për mbikëqyrjen e burgut të Gjilanit.

Organizmat ndërkombëtarë për parandalimin e torturës do të kenë të drejtë të kryejnë vizita monitoruese, edhe pa paralajmërim.

Edhe Ombudsmani Parlamentar i Danimarkës do të mund të inspektojë burgun, të shqyrtojë ankesa dhe të hetojë veprimtarinë administrative që zhvillohet sipas ligjit danez.

Megjithatë, Ombudsmani danez nuk mund të hetojë drejtpërdrejt veprimet e autoriteteve kosovare.

Kufizimet e tilla kanë ngritur pikëpyetje edhe tek organizatat për të drejtat e njeriut.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kërkoi garanci për mbikëqyrje të pavarur dhe efektive të kushteve dhe trajtimit të të burgosurve në Gjilan.

Ajo ngriti pyetje se kush do t’i monitorojë kushtet dhe trajtimin e këtyre të burgosurve dhe si do të sigurohet monitorimi i pavarur.

Sipas marrëveshjes, në burgun e Gjilanit do të zbatohen rregullat daneze për kushtet e qëndrimit, kujdesin shëndetësor, vizitat dhe aktivitetet e të burgosurve.

Synimi i autoriteteve daneze është që kushtet të jenë në thelb të njëjta me ato në burgjet e Danimarkës.

Por, kjo ka nxitur shqetësime se brenda Kosovës mund të krijohen kushte të ndryshme trajtimi për të burgosurit.

Përveç kushteve të qëndrimit, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime edhe për kujdesin shëndetësor dhe kontaktet familjare.

Therese Maria Rytter, drejtoreshë ligjore në organizatën daneze DIGNITY, identifikoi tri rreziqe kryesore: qasjen në kujdes shëndetësor, kufizimin e kontakteve familjare dhe mundësinë e keqtrajtimit.

Marrëveshja parasheh krijimin e një klinike brenda burgut të Gjilanit, me personel shëndetësor të licencuar dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve daneze.

Për trajtimet që nuk mund të ofrohen aty, të burgosurit do të dërgohen në Danimarkë.

Por, një tjetër shqetësim është largësia nga familjarët.

Nëse familja jeton në Danimarkë, ndërsa i burgosuri vendoset në një burg në Kosovë, si do të realizohen vizitat javore?

Zbatimi i marrëveshjes është përballur me vonesa, me të burgosurit e parë që pritet të transferohen në Gjilan në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028.

Ky afat është më i vonshëm se ai i paralajmëruar më herët nga autoritetet kosovare.

Shtyrja është shkaktuar nga vonesat në punimet për rindërtimin e burgut, të cilat kryhen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Marrëveshja, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në maj të vitit 2024, parasheh vënien në dispozicion të kapaciteteve për 300 të burgosur, fillimisht për pesë vjet, me mundësi vazhdimi edhe për pesë vjet të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *