Dënime të rënda për autorët e vrasjes së Liridona Ademajt

Gjykata e Apelit e Kosovës ka konfirmuar dënimet ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës me burgim të përjetshëm, si dhe dënimin prej 30 vjetësh ndaj Kushtrim Kokallës, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në njoftimin e publikuar më 23 nëntor 2026, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve, duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.3/25, të datës 06.07.2026.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtorë të akuzuarit për veprat penale përkatëse.

Naim Murseli u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Granit Plava u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.

Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. “Gjykata e Apelit, pas mbajtjes së seancës dhe analizimit të aktgjykimit të ankimuar, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thotë njoftimi.

Sipas Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkelje të ligjit penal, nuk qëndrojnë. “Vlerëson se rrethanat dhe faktet e vërtetuara nga shkalla e parë janë të drejta dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet inkriminuese që përbëjnë tiparet e veprave penale, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet më tej në komunikatë.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Gjykata Themelore ka konstatuar dhe vlerësuar drejt të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.

Si rrethana rënduese janë marrë parasysh shkalla e lartë e dashjes, motivi i kryerjes së veprës penale për Murselin, mënyra e kryerjes së vrasjes në praninë e dy fëmijëve të viktimës, mosha e re e Liridona Ademajt dhe fakti se ajo ishte e pambrojtur.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit ka përmendur edhe planifikimin e veprës penale dhe sjelljet e të akuzuarve pas kryerjes së saj. “Para kryerjes së veprës penale, të akuzuarit e kanë bërë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa pas kryerjes së veprës penale kanë vazhduar me aktivitetet e tyre, duke shkuar në lokale, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në njoftim.

Sa i përket dënimit prej 30 vjetësh ndaj Kushtrim Kokallës, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ky dënim është në përputhje me dispozitat ligjore, pasi ai është dënuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale. “Për rastet e kryerjes së veprës penale në ndihmë, dispozita në fjalë shprehimisht parasheh se në këto raste ndihmësit e kryerësit të veprës penale i shqiptohet dënim më i butë sesa kryerësit, prandaj, gjykata e shkallës së parë nuk kishte mundësi që t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm Kushtrim Kokallës”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *