Gjykata e Kumanovës ka shqiptuar një dënim me burg prej tre muajsh me kusht për Ardi Saitin, një të ri nga Kumanova.
Dënimi ka ardhur pas incidentit të ndodhur më 28 nëntor 2025, kur Saiti ka valëvitur flamurin e UÇK-së dhe Shqipërisë së Madhe.
Ai ka publikuar aktgjykimin në rrjetet sociale, ku shihet gjithashtu arsyetimi i gjykatës për këtë dënim. “Më 28 nëntor 2025, rreth orës 21:45 në Kumanovë, në rrugën ‘Treta MUB’ me qëllim cenimin e sigurisë dhe vetëdijes, ka shkaktuar urrejtje, ndarje dhe mosdurim mbi baza etnike dhe shtetërore, duke lëvizur në kolonë me 20 automjete të organizuara për festën ‘Dita e flamurit shqiptar’.
Si bashkudhëtarë në makinën ‘Ford’, në dritare ai ka valëvitur flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’ me dimensione 150×80 cm, si dhe flamurin e UÇK-së me dimensione 150×60 cm, duke shkaktuar vëmendje, mosdurim dhe reagime te qytetarët e pranishëm nga bashkësitë tjera etnike”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, Saiti me ironi u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin me flamuj, përndryshe do të dënohen.