Diplomimi i Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës: Një Hap i Rëndësishëm për Sigurinë Publike

Me një ceremoni solemne, u shënua diplomimi i gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, duke e përmbyllur procesin e trajnimit dhe përgatitjes profesionale të kadetëve të rinj, të cilët tani do t’i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës.

Ky moment përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt shërbimit policor, me përgjegjësinë për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, theksoi rëndësinë historike të Policisë së Kosovës dhe përgjegjësitë që bartin anëtarët e saj në shërbim të qytetarëve dhe vendit. “Ju po hyni në një institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re.

Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, në kohën kur vendi ynë po niste ndërtimin e institucioneve të veta.

Nga një shërbim policor i sapokrijuar, ajo u zhvillua në një institucion të rëndësishëm të Kosovës, duke marrë përsipër përgjegjësinë për rendin, sigurinë dhe më pas edhe për mbrojtjen e sovranitetit të vendit”, tha Haxhiu.

Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e nderimit të atyre që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, duke përmendur emra si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.

Haxhiu iu dha kadetëve një mesazh për guximin, integritetin dhe përgjegjësinë që duhet ta karakterizojë çdo pjesëtar të uniformës policore. “Guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun.

Guxim është edhe të veprosh drejt kur është më e lehtë të heshtësh, të mbrosh të dobëtin edhe kur përballë ke dikë të fuqishëm, si dhe të mbrosh ligjin edhe kur shkelja e tij vjen nga dikush që e njeh”, theksoi ajo.

Në mesin e gjeneratës së re, Haxhiu bëri të ditur se ka 118 vajza dhe gra, duke e konsideruar këtë një zhvillim të rëndësishëm për institucionet e sigurisë në vend. “Dua t’ju përgëzoj për këtë zgjedhje.

Prania e më shumë grave në institucionet e sigurisë është një zhvillim i rëndësishëm për vendin tonë.

Derisa shumë gra po marrin përgjegjësi për sigurinë e të tjerëve, shumë gra të tjera vazhdojnë të jetojnë nën kërcënimin e dhunës, fatkeqësisht edhe brenda shtëpive të tyre.

Prandaj, kur një grua u drejtohet institucioneve, rreziku duhet të vlerësohet me seriozitet dhe masat për mbrojtjen e saj duhet të ndërmerren me kohë”, tha Haxhiu.

Kryeministri Albin Kurti, gjithashtu e theksoi rëndësinë e diplomimit të grave në këtë gjeneratë. “Në këtë Gjeneratë të 63-të po diplomoni gjithsej 397 kadetë, prej tyre 118 gra dhe 279 burra.

Pra, pothuajse çdo i treti pjesëtar është grua. Është lajm i mirë që edhe në këtë gjeneratë gratë po diplomohen në numër të konsiderueshëm”, tha ai.

Kurti iu bëri thirrje kadetëve që të nderojnë çdo ditë ata që kanë rënë në krye të detyrës, duke përmendur heronjtë si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e vlerësoi këtë diplomim si një moment të rëndësishëm për Policinë dhe vendin. “Diplomimi i Gjeneratës së 63-të është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për ju që po e përmbyllni këtë kapitull tuajin, por edhe për Policinë dhe për vendin tonë, të cilit i bashkohet një gjeneratë e re, e gatshme për të marrë përgjegjësinë e shërbimit ndaj qytetarëve”, tha Sveçla.

Ai theksoi se profesionalizmi dhe mundësitë e barabarta janë thelbësore për të gjitha nivelet e institucioneve të sigurisë. “Gratë duhet të jenë pjesë e barabartë e udhëheqjes dhe përgjegjësisë institucionale”, përfundoi Sveçla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *