Avokati Besnik Berisha, përfaqësues ligjor i familjes së Arlinda Zekaj, ka bërë të ditur se ekzistojnë prova që, sipas tij, ngrejnë dyshime për përfshirjen e së paku dy anëtarëve të familjes së bashkëshortit të saj në vrasje.
Ai njoftoi se gjatë ditës janë intervistuar familjarë dhe dëshmitarë të rastit, duke përfshirë nënën e dy personave që ai i konsideron të dyshuar për këtë ngjarje.
Berisha pretendon se dy vëllezërit kanë luajtur rol në vrasjen e Arlindës, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes janë përdorur për të përshkallëzuar situatën dhe për të krijuar rrethanat që i paraprinë krimit. “Publiku mund të dijë që ka prova të mjaftueshme që forcojnë jo vetëm dyshimin e arsyeshëm, por dyshimin e bazuar se së paku dy anëtarë të familjes, përkatësisht dy vëllezër, janë të përfshirë në vrasjen e tashmë të ndjerës, Arlinda Zekaj”, ka thënë Berisha.
Ai shtoi se nuk mund të thotë nëse nëna e dy vëllezërve ka qenë në dijeni për atë që, sipas tij, kishin planifikuar djemtë e saj, por pretendoi se anëtarë të tjerë të familjes kishin kontribuar në krijimin e një situate të rënduar për viktimën. “Pjesa tjetër e familjes është përdorë për të acaru situatën, janë ardhur për të dëbuar një nënë dhe për t’i asistuar një njeriu për të kryer një krim”, theksoi ai.
Berisha gjithashtu foli për rrethanat në të cilat ndodhej bashkëshorti i Arlindës, Jeton Sylaj, në momentin e vrasjes.
Sipas tij, në stacionin policor kishin qenë dy vëllezërit Sylaj, por jo ai që, sipas tij, e ka pranuar fajësinë për vrasjen.
Ai ngriti dyshime se Jeton Sylaj, ndonëse ishte në rrugë për t’u ndaluar në lidhje me mosrespektimin e një vendimi gjyqësor, mund të ketë pasur ende qasje në telefonin e tij personal. “Sipas provave që kemi, ka ndodhur një komunikim mes Jetonit dhe familjes në momentin e ndalimit të tij, dhe me arritjen e Arlindës në shtëpi, ka ndodhur tragjedia sapo është larguar policia”, përfundoi Berisha.
Ai kërkoi që hetimi të përfshijë komunikimet telefonike, pamjet e kamerave të sigurisë dhe personat që kanë qenë të pranishëm në stacionin policor në kohën e ngjarjes.