Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Serbia nuk mund të shkëputet nga e kaluara pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.
Gjatë një bashkëbisedimi në Dublin të Irlandës, të organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), Rama komentoi zhvillimet e fundit politike në Serbi, duke theksuar se është ende herët për të qenë entuziast për ndryshimet e mundshme në këtë vend.
Ai shprehu shqetësim për pasigurinë që rrethon zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin e tyre në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Është shumë herët për të thënë diçka me saktësi për atë që vjen më pas”, deklaroi Rama.
Duke diskutuar situatën politike të brendshme në Serbi, ai e cilësoi atë si një eksperiment social dhe politik, duke iu referuar “Listës Studentore” dhe mënyrës se si përzgjidhen kandidatët për parlament ose qeveri.
Sipas tij, kjo përfaqëson një qasje të re në politikën serbe, por mbetet për t’u parë nëse do të sjellë ndryshime të prekshme në qeverisjen e vendit dhe në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Rama nënvizoi se Komisioni Evropian ka pasur probleme me administratën e mëparshme serbe, sidomos në lidhje me sundimin e ligjit dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE.
Ai e vendosi theksin te marrëdhëniet me Kosovën, duke theksuar se pa normalizimin e tyre, Serbia do të vazhdojë të përballet me pasojat e së kaluarës. “Për aq kohë sa nuk ka një qasje të hapur kundrejt Kosovës dhe normalizimit me të, kjo do të thotë që fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta përndjekë Beogradin dhe do të vazhdojë ta pengojë kombin serb që të kryejë një katarsis kaq të nevojshëm, që ende mungon”, u shpreh Rama.
Këto deklarata vijnë në një moment kur zhvillimet politike në Serbi dhe procesi i dialogut me Kosovën vazhdojnë të jenë çështje kyçe për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.