Të dhënat e raportit tregojnë se gjatë dekadës 2013-2023, nga Shqipëria janë larguar 109 mijë shtetas.
Vetëm në vitin 2025, 400 persona që janë rikthyer kanë vizituar zyrat e punës, ku 1/3 e tyre kanë gjetur punë, ndërsa pjesa tjetër është referuar për programe të formimit profesional, për t’u përshtatur me tregun e punës në Shqipëri, i cili ndryshe nga ai në vendet e huaja. “Kemi një shifër aspak premtuese të formalizimit në instrumente zyrtare të punësimit dhe një pjesë e tyre janë të vetëpunësuar.
Kjo lidhet me individin, i cili duhet të gjejë kushtet e përshtatshme me pagat që ka pasur në vendin ku ishte.
Pjesa tjetër ka të bëjë me strehimin dhe se si ai arrin të integrohet, dhe e gjitha lidhet me perspektivën që ai e sheh”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert i ekonomisë. “Të rikthyerit vijnë nga kultura të ndryshme dhe duhet të dimë arsyen përse kthehen.
Aftësitë që ata sjellin me vete janë të rëndësishme, pasi vijnë nga një treg dhe kulturë tjetër, ndryshe nga tregu ynë.
Kemi një treg pak të kualifikuar, me kërkesa punësimi të përgjithshme dhe jo të profesionalizuara. Është e nevojshme të krijohet stabilitet financiar.
Shumë prej tyre nuk gjejnë veten”, u shpreh sociologia Eris Dhamo.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se duhet të vendoset një fokus i veçantë tek të rikthyerit, për të shmangur një emigracion të dytë. “Është e rëndësishme të mbahet kjo fuqi migratore.
Nga njëra anë, ata janë profesionistë, sipërmarrës dhe kontribuojnë në ekonominë tonë, por nga ana tjetër kthehen si konsumatorë, do të jenë kontribues në skemën e pensioneve dhe tatimpagues të radhës.
Nëse nuk arrihet kjo, vala e emigrimit të dytë është më e rrezikshme, pasi një emigrant për herë të dytë ka më shumë gjasa të mos rikthehet më.
Një pjesë e tyre, nëse rikthimi nuk ka përmbushur pritshmëritë, mund të kërkojnë një ikje të dytë, dhe politikat duhet të drejtohen drejt kësaj vale të të larguarve”, deklaroi Gjokutaj.
Italia, Greqia dhe Gjermania vazhdojnë të jenë destinacionet kryesore për emigrantët shqiptarë.