Një fermer nga Gjakova, i angazhuar në mbarështimin e deleve, ka treguar se për një nga delet e tij janë paguar 11 mijë franga zvicerane.
Ai e sheh këtë si një rast të veçantë, duke theksuar se delet e tij kanë vlera të veçanta dhe kërkojnë përkujdesje të vazhdueshme.
Fermeri, në një intervistë për Tv Dukagjinin, shpjegon se aktualisht ka rreth 100 deri në 120 krerë dele.
Ai thekson se grumbullimi dhe shtimi i tyre nuk është i lehtë, pasi jo të gjithë fermerët janë të gatshëm t’i shesin.
Fermeri përkushtohet në përzgjedhjen e deleve, duke blerë krerë të ndryshëm dhe duke i mbarështuar me kujdes të veçantë, me qëllim që t’i ruajë dhe t’i përmirësojë karakteristikat e tyre.
Ai gjithashtu tregon se delet i trajton si fëmijët e tij, duke u kushtuar kujdes të veçantë që nga lindja.
Në mesin e deklaratave të tij, ai përmend ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ka ruajtur një dash me shpresën që t’ia dhurojë në rast të lirimit të tij.